Të çliruar nga funksionet mbretërore, Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan, duket se e kanë botën nën këmbët e tyre, me potencialin për të bërë para në fusha që variojnë nga moda deri te krijimi i kompanisë së tyre të prodhimit.
Por ekspertë të fushës dhe vëzhgues në Hollivud thonë se dyshja e njohur më herët si duka dhe dukesha e Sussex, duhet të bëjë lëvizje të zgjuara në përpjekjet për të qenë financiarisht e pavarur në një botë ku sundojnë blogerë me ndikim si Kim Kardashian, dhe ku vizibiliteti në vend që të reduktohej do të shumëfishohej.
E shkuara e Meghan si aktore në serialin televiziv “Suits”, nxiti menjëherë spekulimet se mund t’i kthehet aktrimit. Por mundësitë që kanë para tyre janë shumë më të gjera. Mes tyre mund të përfshihet krijimi i një kompanie prodhime për shfaqje televizive, dokumentare, apo filma sipas modelit te Higher Ground, kompania e krijuar nga ish-Presidenti amerikan Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle. Harry ka bashkëpunuar më herët me Oprah Winfrey për prodhimin e një dokumentari që do të fokusohet tek shëndeti mendor për shërbimin e ri të transmetimit.
Nga ana tjetër Meghan ka ndikim të konsiderueshëm në botën e modës. Platforma globale e kërkimeve për modën Lyst, e shpalli atë si njeriun më me shumë ndikim sa I përket veshjes, në vitin 2019-të. Kësisoj markat e ndryshme do të kenë përfitime të mëdha nëse Meghan do të veshë produktet e tyre.
Por çifti “gjysmë-mbretëror” do të përballet me garën e egër nga personalitete e konsoliduara të botës së spektaklit, të cilët mund të fitojnë mijëra dollarë nga një reklamë e vetme në rrjetet sociale.