Bota Nga okulist në Londër në diktator të Sirisë: Ngjitja dhe rënia e...

Nga okulist në Londër në diktator të Sirisë: Ngjitja dhe rënia e Bashar al-Assad

Regjimit të Bashar Al-Assad i erdhi fundi pas 24 vitesh. Rebelët shpallën në televizion shtetëror mbërritjen në kryeqytetin e Sirisë dhe kjo solli daljen në rrugët e Damaskut të banorëve për të festuar.

Rusia, aleatja që e la në baltë këtë herë Assad, ka reaguar dhe ka thënë se ai u dorëhoq nga pushteti dhe ka dhënë udhëzime për një transferim të paqtë të pushtetit. Por deri tani askush nuk e di ku ndodhet ai pasi u largua nga vendi.

Megjithatë nuk kanë munguar reagimet e liderëve të tjerë të botës të cilët janë shprehur se më në fund “ra shteti barbar”.

Por pse vjen ky etiketim për Bashar al-Assad?

Bashar al-Assad u bë president në vitin 2000, pasi i vdiq i ati, Hafezi. Ky vendim ruajti dominimin e sektit minoritar alavit në një vend me shumicë myslimane sunite. Po ashtu vendosja e Assad ruajti statusin e Sirisë si një aleate e Iranit, kundër Izraelit dhe SHBA-së.

Regjimi i Assad përshkruhet më shumë nga lufta civile, e nxitur nga situata në Irak dhe krizat në Liban. Gjërat dolën jashtë kontrollit në Pranverën Arabe të 2011-ës, kur sirianët kërkuan demokraci dhe dolën në rrugë.

Assad është përshkruar si “kafshë” në 2018-ën nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për përdorimin e armëve kimike. Këto akuza ai i ka mohuar. Assad ka tejkaluar pritshmëritë e shumë udhëheqësve të huaj të cilët besonin se zhdukja e tij ishte e afërt.

Në fillim të konfliktit, ai humbi disa territore të Sirisë ndaj rebelëve, por regjimi i tij mundi të mbante pjesën më të madhe të tyre… deri më tani.

Bashari në fakt nuk ishte përcaktuar për të qenë president. Hafezi, i ati, kishte rritur djalin tjetër, Bassel-in për ta pasuar në këtë detyrë. Kur Bassel-i vdiq në një aksident në vitin 1994, Bashar u transformua nga një okulist në Londër, aty ku studionte, në pasardhësin e të atit, Hafezit.

Babai i Bashar al-Assad, Gjenerali Hafez al-Assad e mori detyrën në 14 Mars 1971 si Presidenti i 14 i Sirisë. Ai e mori pushtetin në moshën 41-vjeçare falë një grushti shteti të përgjakshëm në të cilën u rrëzua Dr. Noureddin Al-Attassi.

Pas vdekjes së babait të tij në qershor 2000, parlamentit sirian iu deshën vetëm disa orë për të ndryshuar kushtetutën për të ulur moshën presidenciale nga 40 në moshën e Asadit në 34, duke e lejuar atë të trashëgonte babanë e tij pas kundërshtimit të shumë njerëzve. Shumë vëzhgues në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara dukeshin të inkurajuar nga presidenti i ri, i cili u paraqit si një lider i freskët, rinor, i cili mund të sillte një regjim më progresiv dhe të moderuar.

Pasi u bë president, Bashar al-Assad vendosi disa reforma liberale duke i përshkruar si “pranvera e Damaskut”. Ai liroi qindra të burgosur politikë, bëri hapa drejt Perëndimit dhe hapi ekonominë drejt kompanive private.

Martesa me bankieren e lindur në Britani, Asma Akhras, me të cilën ka tre fëmijë, e ndihmoi të shtonte shpresat se ai mund ta çonte Sirinë drejt një rruge reformiste.

Por në sistemin politik që kishte trashëguar nga i ati, shenjat e ndryshimit humbën shpejt. Udhëheqësi i ri ruajti menjëherë lidhjet tradicionale të vendit të tij me grupet militante si Hamasi dhe Hezbollahu.

Kundërshtarët u burgosën dhe reformat ekonomike kontribuuan në atë që diplomatët amerikanë e përshkruan në një kabllogram të publikuar në Wikileaks si nepotizëm dhe korrupsion parazitar.

Në maj të vitit 2011, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama tha se regjimi i Asadit kishte “zgjedhur rrugën e vrasjeve dhe arrestimeve masive të qytetarëve të vet” dhe i kërkoi atij të udhëheqë një tranzicion demokratik “ose të largohet nga rruga”.

Assad është rizgjedhur me shumicë çdo shtatë vjet, më së fundi në vitin 2021, në ato që SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia i kanë quajtur “zgjedhje të rreme”.