Kryeministri Edi Rama, nga Athina, i dha disa premtime emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj. Ai tha se janë çelur negociatat në nivel ekspertësh për pensionet.
Po ashtu, Rama ai foli edhe për marrjen e shtetësisë me natyralizim.
“Më në fund me qeverinë aktuale, se me ato më përpara, as bëhej fjalë, kemi çelur negociata në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë, ndërsa deri dje nuk kishte asnjë dritë në fund të tunelit. Ajo marrëveshje me Italinë dhe kjo me Greqinë, janë dy marrëveshjet më komplekse për shkak të peshës që kanë. Po ashtu dhe besoj se kjo ju intereson shumë, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik, për problematikën e lejeve të qëndrimit dhe për procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim. Ka goxha progres dhe unë jam besimplotë se shumë shpejt, ju do të merrni lajme shumë të mira”, tha Rama.
Më tej, kryeministri Rama theksoi se është besimplotë se marrëdhëniet mes dy vendeve do të ecin përpara.
“Unë kam besim, se më e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë është e gjitha përpara. Duhet t’i zgjidhim të gjitha çështjet mes nesh si europianë largpamës të shekullit të 21, por jo si ballkanas sylesh të shekullit të vjetër, për t’i kthyer sa herë hapen tezat e pazareve elektorale”, tha Rama.