Njoftimi i parë zyrtar për vitin 2021, i Tirana International Airport (TIA) prek të gjithë udhëtarët që përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ulja së tarifës së pasagjerit. Përveç këtij lehtësimi për pasagjerët kompania paralajmëron dhe nisjen e një plani ambicioz investimesh në strukturën e aeroportit, për të kontribuar në lehtësimin e çmimeve të biletës dhe zhvillimit në tërësi të aviacionit dhe turizmit shqiptar.
Lajmet e mira për uljen e tarifës dhe investimet shumëmilionë euroshe vijnë pas datës 18 dhjetor 2020, kur kompania “Kastrati Group”, e themeluar që në vitin 1990, u bë zotëruese 100% të kapitalit aksionar të TIA-s, pas blerjes së këtyre aksioneve nga kompania kineze “Real Fortress Limited”.
Ulja e tarifës së pasagjerit nga 12.5 Euro në 10 Euro është vendimi i parë që ka marrë TIA dhe që do të startojë me ndryshimin e Kontratës së Koncesionit të miratuar që në vitin 2004. Si pasojë e kësaj uljeje të tarifës, efekti në uljen e çmimit të biletës dhe në rritjen e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve, do të jetë i ndjeshëm.
Si pjesë e ndryshimeve dhe rinegociimit të Kontratës së Koncesionit, TIA bën me dije se një paketë e plotë investimesh, të cilat arrijnë një total prej afërsisht 100 milionë Euro do të jetë në vëmendjen e menaxhimit të ri, me fokus, zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve.
Plani i investimeve nga koncesionari synon të përmirësojë dukshëm operimin në aeroportin “Nënë Tereza”, dhe ta shndërrojë Tirana International Airport në një shembull pozitiv në rajon, me një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e turizmit në Shqipëri dhe përmirësimin e lehtësisë së të bërit biznes.
Pjesë e paketës së negocimit të Kontratës së Koncesionit është edhe liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë), liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve bashkë më uljen e çmimit dhe ulja e tarifës së pasagjerit. Kjo do të sjellë një efekt të menjëhershëm në tërheqjen e linjave të tjera “low cost”, përfshirë Ryan Air, dhe rrjedhimisht do të ketë efekt në uljen e çmimit të biletës si dhe në rritjen e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve.