Popullata e çifteve të Kalit të Qyqes ka rënë në mënyrë drastike në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit, duke e vendosur një nga shpendët e rrallë që përdor ‘vegla pune’ në listën e specieve në rrezik.
Nga Fjori Sinoruka / BIRN
Përdorimi i veglave të punës është i rrallë mes shpendëve dhe Kali i Qyqes është një nga speciet e rralla që përdor jo vetëm guralecët si çekiç për të thyer vezë të mëdha sa të strucit por edhe shkopinjtë për të tjerrur leshin, të cilin e përdor për të ngritur folenë.
Ky shpend i rrallë që dallohet nga koka me ngjyrë të verdhë të ndezur dhe pendët e bardha, është pjesë e folklorit të kulturave të ndryshme. Egjiptianët e lashtë e adhuronin atë si një simbol të perëndeshës ‘Isis’ dhe e përjetësuan siluetën e tij në një hieroglif në alfabetin e tyre.
“Është një shpend fantastik kur e shikon sepse ka kontraste shumë të forta… nga pikëpamja e jetesës së tij ai është një sanitar i shkëlqyer i natyrës,” tha Taulant Bino, president i Shoqatës Shqiptare të Orintologëve, AOS, gjatë një turi ndërgjegjësues në luginën e lumit Drino.
Por zogu i shenjtë i faraonëve tani përballet me zhdukje dhe numrat e tyre në Ballkan – ku folezon gjatë stinës së pranverës dhe verës, kanë rënë me gati 80 për qind gjatë 30 viteve të fundit, duke e vendosur në listën e specieve në rrezik zhdukje.
“Përpara 50 vitesh ka qenë shumë e përhapur dhe tashmë rrezikon të zhduket sepse numri i çifteve folezuese në Ballkan është pakësuar me 3\4,” shpjegoi Bino.
“Nga 200 çifte [dikur], sot në Ballkan numërohen 55-60 çifte, ndërsa në Shqipëri nga 14 çifte folezuese në vitin 2005, sot na rezulton që të kemi vetëm 5 ose 6 çifte folezuese,” shtoi ai.
Kali i Qyqes është një shkabë migratore, e cila mund të fluturojë deri në 640 kilometra në ditë ndërsa përshkon distanca deri në 5 mijë kilometra, nga territoret e saj folezuese në Europë në ato të dimërimit në skajin jugor të shkretëtirës së Saharasë në Afrikën Veriore.
Megjithatë, gjatë këtij fluturimi epik interkontinental, Kali i Qyqes përballet me rreziqe të ndryshme, si pasojë e helmeve të përdorur nga fermerët dhe barinjtë kundër grabitqarëve të mëdhenj, shqetësimit të territorit të saj folezues dhe gjuetisë së paligjshme.
Sipas orintololgëve Kali i Qyqes formon çifte që qëndrojnë besnike dhe kthehen gjithmonë në të njëjtin vend folezimi, ose në të njëjtin territor folezimi.
“Kali i Qyqes kthehet diku nga fundi i marsit dhe qëndron deri në shtator, pra kjo është periudha në të cilën ai ndodhet në Shqipëri, pas kësaj periudhe ai ndodhet në Afrikë,” shpjegoi Bino.
“Ndërsa për të vegjlit, historia është paksa më ndryshe, ata që lindin sivjet dhe që së shpejti marrin rrugën e shtegtimit do të qëndrojnë në Afrikë për 5 vjet derisa të piqen seksualisht, pra kur të jenë të maturuar, kur të jenë të aftë për tu riprodhuar do të kthehen për tu riprodhuar në ato vende ku ata kanë lindur,” shtoi ai.
Kjo shkabë e vogël në Shqipëri folezon në luginën e lumit Drino dhe atë Vjosës në jug të Shqipërisë dhe është pikërisht në këtë zonë ku janë përqendruar përpjekjet për monitorimin e popullatës dhe ruajtjen e saj.
Gligor Dushi, drejtor i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Gjirokastër, tregon se gjatë dy viteve të fundit janë ndërtuar dy stacione të ushqimit suplementar – një në fshatin Glinë në Gjirokastër dhe tjetri në fshatin Nivicë në Kurvelesh, në mënyrë që shpendi të mos bie pre e ushqimeve ose kafshëve të ngordhura të helmuara, por të ushqehet në këto stacione duke shmangur kërcënimin që vjen nga konsumimi i ushqimit të helmuar.
“I hedhim ushqim që të mos hajë jashtë, por të hajë brenda, në mënyrë që të mos helmohet jashtë,” shpjegoi Dushi, gjatë vizitës në një prej stacioneve.
Në këto stacione janë të vendosura dhe kamera me anë të të cilave monitorohem vizitat e çifteve folezuese. Dushi nënvizoi se helmimi është rreziku kryesor me të cilën përballet Kali i Qyqes. Për këtë arsye agjencia që ai drejton është duke ngritur stacione të reja suplementare ushqimi për të shmangur helmimin e çifteve të mbetura.
“Kali i Qyqes është një shpend në zhdukje dhe sipas këtij ritmi të humbjes ose të zvogëlimit, për disa vjet nuk do e kemi më, prandaj për këtë arsye ne kemi marrë masat që ta mbrojmë atë,” tha Dushi.
Sipas Dushit në Shqipëri folezojnë gjithsej 14 individë, nga të cilët 5 janë çifte dhe 4 janë në gjendje të lirë. Nga të 14 individët, 12 folezojnë në qarkun e Gjirokastrës.
Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi shprehet se në luftën e Kalit të Qyqes për mbijetese edhe qeveria nuk po rri duarkryq.
“Ne sapo kemi kaluar në parlament vetëm para një muaji e pak ndryshimet e ligjit për faunën e egër, ku kemi futur konceptin e konservimit të disa specieve dhe kur flasim konservimin nuk flasim thjesht ruajtjen sepse shumë specie janë në ruajtje në Shqipëri, por konservimi ka të bëjë me specie fiks si kali i qyqes,” tha Çuçi, duke nënvizuar se kjo iniciativë ligjore ishte pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
“Ndryshimet që kemi bërë në ligj janë për disa specie të tilla, të cilat nuk janë pak në Shqipëri me thënë të drejtën dhe shumë pak janë të njohura,” shtoi ajo.
Përpjekjes për monitorimin dhe ndërgjegjësimin e banorëve vendas për vlerat e dhe rreziqet me të cilat kanoset Kali i Qyqes në skajin jugor të vendit i është bashkuar dhe Shoqata e Orintologëve Shqiptar, e themeluar në vitin 2015. Sipas bashkëthemelueses të kësaj organizate, Besjana Sevo përpjekjet për shpëtimin nga zhdukja të kësaj shkabe të rrallë gjatë dy viteve të fundit janë përqendruar në dy drejtime, në monitorim të popullatës dhe në nivel politikash.
“Është specie shumë diskrete dhe është shumë e zgjuar,” tha Sevo, duke shtuar se përtej monitorimit masat mbrojtëse përfshijnë ndërgjegjësimin e duhur të autoriteteve, në nivel lokal dhe ndërkombëtar, si dhe ndërhyrjen në politikave kombëtare kundër helmimit të kafshëve të egra.
“Ajo që presim dhe që shpresojmë shumë është rritja e numrit të individëve,” shtoi ajo.