Presidenti Ilir Meta dekretuar Sokol Ngresin, si anëtarin më të ri të Gjykatës së Lartë, duke miratuar kështu propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor
“Zoti Ngresi është përzgjedhur për t’u emëruar në këtë gjykatë për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative përmes procedurës së ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
Presidenti i Republikës pasi u njoh me vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjellë nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të emërimit, me vullnetin e plotë që Gjykata e Lartë të plotësohet me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh; të nevojës jetike që ka vendi për një Gjykatë të Latë plotësisht funksionale; si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së të kandidaturës së propozuar, Presidenti i Republikës ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimit të KLGJ-së”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë bëhet me 13 gjyqtarë, nga 19 anëtarë që duhet të ketë. Nga sot Gjykata e Lartë gëzon kuorumin e nevojshëm (2/3 e anëtarëve) për t’u mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara.
“Gjykata e Lartë, pas 5-vitesh në pamundësi për ta ushtruar këtë funksion themelor të saj, nga sot mundet të ndryshojë/unifikojë praktikën gjyqësore. Nga sot ajo rikthehet në funksionalitet për të shqyrtuar çështje në Kolegje të Bashkuara dhe për të përmbushur plotësisht misionin dhe autoritetin e saj sublim për çështje që kanë nevojë për kuptimin dhe unifikimin e zbatimit të ligjit, duke i siguruar kështu të gjithë sistemit gjyqësor zhvillimin/ndryshimin e praktikës gjyqësore, unifikimin e jurisprudencës, dhe një qëndrim uniform lidhur me çështje të ndryshme juridike në funksion të interesit publik, në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në dhënien e drejtësisë. Ky mund të duket një hap i vogël përpara, por juristët dhe vet Gjykata e Lartë e kuptojnë shumë mirë se është nga më të rëndësishmit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.