Kryesore Nga sulmi në Kapitol Hill te Merkel, ngjarjet që shënuan 2021-shin dhe...

Nga sulmi në Kapitol Hill te Merkel, ngjarjet që shënuan 2021-shin dhe të ardhmen

Jo vetëm Covid 19, në këtë vit 2021 që po lamë pas, në botë kanë ndodhur ngjarje që kanë ndryshuar historinë. Nuk mund të mos kujtohet sulmi në Kapitol Hill, Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të mbahet mend si një nga faqet më të errëta në historinë amerikane. Dhe në të njëjtën kohë, është viti i mbërritjes së Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe ai i daljes së Angela Merkel nga politika në Gjermani. Por edhe dështimi i Benjamin Netanjahut në Izrael. Dhe pastaj padyshim pandemia me valën e re të quajtur “Omicron”, kriza me Rusinë për një Ukrainë gjithnjë e më perëndimore.

JANAR

1 JANAR – Brexit: Marrëveshja e partneritetit BE-BRITANI për tregtinë dhe bashkëpunimin hyn në fuqi. Londra largohet nga tregu i vetëm evropian në mesnatë në Bruksel, në ndryshimin më të madh ekonomik që ka pësuar vendi që nga Lufta e Dytë Botërore. “Marrëveshja do të formojë një bazë solide për miqësinë tonë me Britaninë e Madhe. Por do të ketë ndryshime të mëdha”, shkruan Komisioni Evropian në Twitter.

Vaksina anti-Covid, Pfizer-BionTech bëhet e para që merr vlefshmërinë nga OBSH për përdorim urgjent

1 JANAR – Covid: Vaksina Pfizer-BionTech bëhet e para që merr vlefshmërinë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përdorim urgjent.

6 JANAR – SHBA: mijëra mbështetës ekstremistë të republikanit Donald Trump sulmojnë Kapitol Hillin. Ata ngjiten në muret dhe tarracat e jashtme, thyejnë dyert dhe dritaret dhe hyjnë në pallat. Disa orë më parë, në parkun pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump i kishte kërkuar turmës që të ‘luftonte’ dhe të marshonte në Kapitol Hill kundër asaj që ai e quajti ‘vjedhje’ e zgjedhjeve. Pas sulmit, u shënuan 5 viktima.

7 JANAR – SHBA: Kongresi shpall fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe Zëvendës-Presidentes Kamala Harris. Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve hedhin poshtë kundërshtimet e ngritura nga republikanët.

17 JANAR – Rusi: Opozitari rus Aleksei Navalni, arrestohet në kontrollin e pasaportave në aeroportin “Sheremetyevo” të Moskës, ku avioni me të cilin udhëtonte ishte ulur. Avokati i tij nuk lejohet të bashkohet me të.

20 JANAR – SHBA: Joe Biden betohet si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara përpara gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, John Roberts, në një Bibël të lashtë në pronësi të familjes që nga viti 1893, e mbështetur nga Zonja e Parë Jill.

26 JANAR – Covid: Rastet e konfirmuara në botë kalojnë shifrën 100 milionë. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 100,032,461 infeksione dhe 2,149,818 vdekje janë zbuluar që nga fillimi i pandemisë.

SHKURT

1 SHKURT – Birmani: Grusht shteti i ushtrisë. Në ditën kur duhej të fillonte puna për parlamentin e ri të formuar pas zgjedhjeve të nëntorit, të cilat panë fitoren dërrmuese të partisë së Aung San Suu Kyit, ushtria mori pushtetin dhe arrestoi fituesin çmimit Nobel dhe presidentin Win Myint.

Opozitari rus dhe kritiku i shpër i presidentit Vladimir Putin, Aleksei Navalni, dënohet me tre vjet e gjysmë burg

2 SHKURT – Rusi: Disidenti Aleksei Navalni dënohet me tre vjet e gjysmë burg. Akuza është se ai ka shkelur kushtet e provës, teksa po kurohej në Gjermani, pasi u helmua me agjentin nervor Novichock. Duke qenë se 44-vjeçari ka kaluar tashmë dhjetë muaj në arrest shtëpie, do të duhet të vuajë 2 vjet e 8 muaj burg.

MARS

1 MARS – Francë: Gjykata e Parisit shpall fajtor për korrupsion dhe trafikim ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy dhe e dënon me 3 vjet: dy me lirim me kusht dhe një me burg.

Anija-kontenjner e transportit të mallrave, Ever Given”, bllokohet në Kanalin e Suezit

24 MARS – Anija e madhe e mallrave “Ever Given”, ngec në Kanalin e Suezit të Egjiptit, duke bllokuar trafikun në një pikë vendimtare për lundrimin.

30 MARS – Hong Kong: Kina miraton ndryshimet në kushtetutë që i japin Pekinit një kontroll më të madh mbi përbërjen e parlamentit të qytetit dhe zvogëlojnë përqindjen e ligjvënësve të zgjedhur drejtpërdrejt.

PRILL

7 PRILL – ‘Sofagate’: Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mbetet pa karrige gjatë takimit zyrtar me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Ankara. Debati u ngrit si për sjelljen e liderit turk, ashtu edhe për atë të Michel.

Bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeth, Princi Philip ndahet nga jeta në moshën 99-vjeçare

9 PRILL – Mbretëria e Bashkuar: Princi Philip, bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeth vdes në moshën 99-vjeçare. Philip, i njohur si Duka i Edinburgut, u martua me Elizabeth në vitin 1947 dhe është bashkëshorti më jetëgjatë në historinë britanike të mbretërisë. Ai u tërhoq nga jeta publike në vitin 2017. Ai kishte katër fëmijë, tetë nipër e mbesa dhe nëntë stërnipër.

20 PRILL – SHBA: Ish-oficeri i policisë amerikane, Derek Chauvin, shpallet fajtor për vrasje nga pakujdesia për vdekjen e afrikano-amerikanit Geroge Floyd. Gjykata vendosi pas një diskutimi që zgjati dhjetë orë. Turma e mbledhur në Mineapolis, në pritje të vendimit, shpërtheu në duartrokitje dhe lot gëzimi.

MAJ

Kina ndryshon politikat familjare për planifikimin e fëmijëve

31 MAJ – Kinë: Për të ngadalësuar plakjen e shpejtë të popullsisë, Pekini vendos të rrisë numrin maksimal të fëmijëve të lejuar për çift nga dy në tre.

QERSHOR

9 QERSHOR – BE: Parlamenti Evropian miraton lejen e gjelbër anti-Covid. Rezultatet e seancës plenare të mbajtur një ditë më parë shpallen nga presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli. Teksti që më pas u miratua zyrtarisht nga Këshilli, u shndërrua në ligj, duke u zbatuar nga 1 korriku.

Pas 12 vjetësh në pushtet, përfundon epoka e ish-kryeministri Benjamin Netanjahu në Izrael

13 QERSHOR – Izrael: Epoka e Benjamin Netanjahut përfundon pas 12 vitesh. Me një shumicë të ngushtë prej 60 votash kundër 59, Knesset i jep besimin qeverisë së re të udhëhequr nga Naftali Benet.

16 QERSHOR – SHBA-Rusi: Dëshmi e shkrirjes midis Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden dhe Presidentit rus, Vladimir Putin. Të dy takohen në Gjenevë të Zvicrës. Nuk ka përparim në marrëdhëniet midis dy fuqive, por hapat e parë përpara për çështje të tilla si kontrolli i armëve bërthamore, kthimi i ambasadorëve të tyre përkatës dhe hapja e një dialogu për sigurinë kibernetike. Nga ana tjetër, ka qëndrime të papajtueshme për çështjen e të drejtave të njeriut.

19 QERSHOR- Iran: Konservatori Ebrahim Raisi, kreu i gjyqësorit dhe i preferuari i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei fiton zgjedhjet presidenciale.

KORRIK

Ekipi që realizoi misionin më të gjatë të organizuar ndonjëherë nga Agjencia Hapësinore Kineze

4 KORRIK – Hapësirë: Tre astronautë kinezë bëjnë ecjen e parë në hapësirë ​​jashtë stacionit të ri orbital në Pekin. Ata mbërritën më 17 qershor për një mision tre mujor, pjesë e një programi ambicioz që zbarkoi një robot rover në Mars në muajin maj. Misioni vjen ndërsa Partia Komuniste në pushtet feston 100-vjetorin e themelimit të saj.

7 KORRIK – Covid: Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se janë tejkaluar 4 milionë vdekje. “Bota është në një pikë të rrezikshme në këtë pandemi”, paralajmëron drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

GUSHT

Qindra afganë përpiqen të largohen nga vendi pas ardhjes në pushtet të Talebanëve

15 GUSHT – Afganistan: Talebanët hyjnë në Kabul, ndërkohë që tërheqja e trupave amerikane vazhdon dhe në aeroportin e kryeqytetit, fluturimet vazhdojnë për të evakuuar personelin e ambasadës, shtetas perëndimorë dhe afganë që kanë bashkëpunuar me Perëndimin. Skenat në aeroport janë dramatike: civilët grumbullohen nëpër pista duke u përpjekur dëshpërimisht të hipin në fluturimet që nisen për të ikur nga vendi. Disa ngjiten pas avionëve dhe rrëzohen pas nisjes.

SHTATOR

Salah Abdeslam, terroristi i mbijetuari sulmeve të 13 nëntorit 2015 në Franë, në gjykatë

8 SHTATOR – Francë: Hapet në Paris gjyqi për sulmet terroriste të 13 nëntorit 2015, që shkaktuan vdekjen e 130 personave dhe qindra të plagosur. Në sallën e gjyqit shfaqet Salah Abdeslam, i pandehuri kryesor, i vetmi i mbijetuar i celulës ekstremiste të lidhur me ISIS-in që pretendon anëtarësim në Shtetin Islamik.

15 SHTATOR – Pakti Aukus: Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Australia shpallin një partneritet të ri trepalësh të mbrojtjes me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Indo-Paqësor. Pakti hedh në erë marrëveshjen për furnizimin e nëndetëseve midis Francës dhe Australisë. Parisi flet për një goditje me thikë pas shpine dhe thërret ambasadorët.

TETOR

5 TETOR – Francë – Stuhi mbi kishën pas publikimit të një hetimi të pavarur për pedofilinë që u porosit nga vetë Kisha Katolike në Francë në vitin 2018. Raporti tregon se 216 mijë fëmijë, 80% e tyre meshkuj, që ndodhen në Francë, janë abuzuar nga kleri në 70 vitet e fundit. Numri i tyre shkon në 330 mijë nëse kemi parasysh edhe abuzimet e bëra nga anëtarët laikë të Kishës.

Konflikti mes Tajvanit dhe Kinës vijon të mbetet një problem për rajonin dhe aleatin e Taipeit, SHBA-të

9 TETOR – Tajvan: Rritet tensioni me Kinën. Pas bastisjeve masive në Pekin, presidenti i gjigantit aziatik, Xi Jinping thotë se ribashkimi i Taipeit me Kinën kontinentale duhet të ndodhë dhe do të nodhë. Presidenti i Tajvanit, Tsai Ing-wen, premton të mbrojë ishullin nga presioni në rritje kinez.

NËNTOR

8 NËNTOR – Emigrantët: Qindra njerëz lëvizin nga Bjellorusia në kufirin me Poloninë. Disa video në mediat sociale e dokumentojnë atë, duke përfshirë një të postuar në Twitter nga Sviatlana Tsikhanouskaya, një politikane dhe aktiviste bjelloruse, e cila shkruan: “Regjimi bjellorus intensifikon krizën kufitare: emigrantët shtyhen në kufi nga njerëz të armatosur”.

13 NËNTOR – COP26: Pakti i Gllazgout për Klimën, miratohet nga delegatët e 197 partive të mbledhura në samitin e OKB-së. Dokumenti është miratuar nga rreth 200 vende pas një ndërhyrjeje të minutës së fundit nga India për të zbutur formulimin në pjesën që lidhet me uljen e emetimeve që rrjedhin nga qymyri. Për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, është “një hap i rëndësishëm, por nuk mjafton”.

“Omicron” u kthye në variantin më të transmetueshëm të Covid 19 në botë që prej përhapjes së tij dy vjet më parë

26 NËNTOR – Covid: Organizata Botërore e Shëndetësisë i cakton emrin e alfabetit grek “Omicron”, variantit të ri të identifikuar në Afrikën e Jugut, deri më tani i referuar si B.1.1.529. Ai e përkufizon atë si ‘shqetësuese’.

DHJETOR

4 DHJETOR – Ukrainë: Gazeta “Washington Post”, zbulon se Rusia po planifikon një ofensivë kundër Kievit në disa fronte në fillim të vitit të ardhshëm, me përfshirjen e rreth 175 mijë ushtarëve. Frika e Perëndimit është rritur që nga rritja e numrit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën, e vlerësuar në mes 90 dhe 70,000.

8 DHJETOR – Gjermani: Angela Merkelit i mbaron mandati si kancelar pas 16 vitesh. Vendi qeveriset nga lideri i qendrës së majtë, Olaf Scholz, i cili betohet si kancelari i nëntë, duke hapur një epokë të re për kombin më të populluar dhe ekonominë më të madhe në Bashkimin Evropian. Scholz mbështetet nga koalicioni SPD-Të Gjelbrit dhe Liberalët, ndërsa CDU-CSU shkon në opozitë.

19 DHJETOR – Kili: Gabriel Boriç është presidenti i ri. Ish-lideri 35-vjeçar i lëvizjes studentore dhe kandidati i së majtës mundi rivalin e tij Jose Antonio Kast, nostalgjik i ish-diktatorit Pinochet, duke u bërë kreu i shtetit më i ri dhe më i votuar në historinë e vendit.

26 DHJETOR – Afrika e Jugut: Kryepeshkopi Desmond Tutu, fitues i Çmimit Nobel për Paqe në 1984, i cili ndihmoi për t’i dhënë fund aparteidit në Afrikën e Jugut, vdes në moshën 90-vjeçare.