Një tjetër vajzë ekrani takohet me botën e krimit dhe kësaj here fjala është për Kejvina Kthellën, të cilën po e shohim të hënave në ekran si kërcimtare e spektaklit të VIP-ave, “Dance with me”.
Kejvina, e cila e ka bazën në Milano të Italisë, por vjen në Shqipëri sa herë që lidh ndonjë kontratë për të qenë pjesë e ndonjë programi argëtues, këtë herë është bërë personazh i kronikës së zezë, ndërkohë që ajo vetë ishte mësuar me faqet rozë të shtypit.
Pak javë pasi u përfol për një sherr me prezantuesen Einxhel Shkira, Kejvina e ka pasur më të fortë shkallën e aksionit në jetën e saj të bukur mes dritave të televizionit dhe luksit. Një javë pas atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja, që ndodhi pasditen e së premtes së kaluar te mbikalimi i Shkozetit, janë zbuluar detaje të reja lidhur me ngjarjen, por edhe me personin e vetëm që është arrestuar deri tani si i akuzuar për atentatin, Redjan Rraja. Burime nga Policia bëjnë të ditur se u mor në pyetje mikesha e personit të arrestuar si autor i dyshuar i atentatit, Redjan Rraja.
Fjala ishte për modelen dhe ish-velinën e programit “Xing me Ermalin”, Kejvina Kthellën, një nga vajzat e njohura të showbizzit shqiptar, edhe për stilin e jetës që reklamon në rrjetet sociale.
Hetimet kanë zbuluar se modelja e njohur kishte miqësi me Redjan Rrajën, i arrestuar pak ditë më parë në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Burime policore thanë se Kthella kishte bisedime të shpeshta telefonike me 34-vjeçarin Rraja.
Ndërkohë, po të njëjtat burime bënë me dije se Kthella është marrë në pyetje për të zbuluar më shumë rreth lëvizjeve të Rrajës ditën e atentatit, por edhe për të mësuar më shumë mbi jetën e këtij të fundit, gjë që mund të ndihmojë hetuesit për zbardhjen e së vërtetës.
Deri tani, ende nuk dihet se çfarë ka deklaruar modelja para oficerëve të Policisë Gjyqësore, pasi burimet janë shumë të rezervuara në këtë drejtim. Megjithatë, burimet thanë se në rast se do të jetë e nevojshme, asaj do t’i kërkohet sërish që të paraqitet në Polici, nëse do të vlerësohet se mund të ketë dobi për hetimet.
Përveç saj, Policia ka marrë në pyetje edhe persona të tjerë, të afërm e miq të Rrajës, për të zbuluar lëvizjet e tij. Pas shoqërimit në Polici në lidhje me zbardhjen e rrethanave të atentatit të ndodhur pak ditë më parë në Durrës, Kejvina Kthella u është rikthyer provave për spektaklin e radhës së “Dance with me”, ndërkohë që vazhdon poston foto seksi në “Instagram”, të cilat i ka realizuar së fundi për një sallon bukurie.
Ndërkaq, burime nga grupi hetimor e Policia e Shtetit kanë bërë me dije se modeles 24-vjeçare i është sekuestruar telefoni dhe pritet që nga ‘zbërthimi’ i tij të merren vesh të dhëna të tjera, në lidhje me lëvizjet që mund të ketë kryer 34-vjeçari Rraja ditët para atentatit, në momentin e ngjarjes dhe pas tij.
Mes Kejvinës dhe Redjanit, i njohur ndryshe si “Dara” i Krujës, ka komunikime të shpeshta, ndërkohë që mësohet se Kejvina kishte në përdorim një makinë superluksoze, që është në pronësi të tij.