Tenori i njohur shqiptar, Armaldo Kllogjeri, ka reaguar ndaj disa komenteve negative që i janë adresuar në rrjetet sociale.
Në komentet e bëra, disa përdorues e kanë kritikuar duke i thënë se “nga tenor është kthyer në dasmaxhi”.
Kllogjeri, në reagimin e tij, ka theksuar se nuk i ka hyrë askujt në hak dhe se zëri i tij është një burim gëzimi për njerëzit në eventet familjare.
Gjithashtu, ai ka njoftuar se ka hedhur në gjyq Teatrit të Operës dhe Baletit. Sipas tij, institucioni e ka pushuar nga puna një muaj para përfundimit të “Big Brother VIP”, ku ai ishte konkurrent, duke i ndërprerë karrierën pas 20 vitesh angazhim profesional.
“Kjo video është për ata që komentojnë në një mënyrë tallëse që thonë, ‘o i shkreti ti, mbete pa punë, t’u prish karriera, nga një tenor përfundove në dasmaxhi’. Po mirë kam një pyetje, kujt i ka hyrë në hak?
Ua kam thënë një herë që jam në gjyq!
Dhe ja ku po ua them! Kam hedhur në gjyq Teatrin e Operas dhe Baletit i cili një muaj pa mbaruar Big Brother më ka hequr nga puna në një mënyrë të rrufeshme, pa iu dridh qerpiku fare, pa menduar se ky person ka kontribuar në teatër 20 vjet, 20 vjet lumenj djerse, sakrifica emocione, e kemi mbajtur Teatrin dhe në kushte më të vështira dhe Teatri pa vënë logjikën në punë më lë në rrugë me nusen shtatzënë dhe një fëmijë të mitur. Po ua them se ju nuk besoni, megjithatë ia kam lënë drejtësisë. Por do t’u them dhe një gjë tjetër, shikoni punët tuaja, hallet tuaja se të miat i zgjidh vetë”, deklaron ai.
“Për fëmijët e mi, do t’i shkoj me çdo çmim deri në fund”, shton ai.