Vrasje, terror, krim dhe luks. Këto kanë shoqëruar jetën e bosëve të drogës përgjatë një shekulli. Ka pasur shumë bosë si Salvatore Riina që kanë krijuar kupola mafioze, por të paktë kanë arritur të godasin në zemër të institucioneve shtetërore siç bëri ai. Nga më mizori tek i penduari, nga Totò Riina tek Al Capone, po ju sjellim 10 mafiozët më të famshëm në histori, shumë prej të cilëve e kaluan jetën pa bërë një vit burg.
Salvatore Riina: Më mizori
Shumë vrasje rëndojnë mbi bosin e Palermos, përveç atyre të prefektit Carlo Alberto Dalla Chiesa në 1982 dhe masakrave në Capaci në maj 1992 me vrasjen e Giovanni Falcone dhe 57 ditë më vonë nërrugën d’Amelio në korrik 1992 vrasja e Paolo Borsellino. I arrestuar në vitin 1993, Totò, i njohur si ‘u curtu’ për shkak të gjatësisë së tij 158 cm, u dënua me disa dënime të përjetshme për t’u vuajtur nën regjimin e ashpër të burgut prej 41 bis . Metodat që ai përdori për të sjellë klanin e tij në majën e Cosa Nostra-s ishin të njëjtat që përdorën “baballarët e tij shpirtërorë”, shumë prej të cilëve vdiqën pa bërë një vit burg.
Vito Cascio Ferro: Shefi i parë
“Na lagni sqepin”. Ishte mënyra në të cilën mafiozët u kërkonin tregtarëve paratë e mbrojtjes në fillim të shekullit të kaluar. Ishte Vito Cascio Ferro (1862-1943), një nga bosët e parë të mëdhenj siçilianë, që zhvaste bizneset dhe që u eksportua shpejt në Amerikë. I lindur në Palermo, në ato pak vite të kaluara në Nju Jork ai konsolidoi marrëdhëniet me krimin jashtë shtetit dhe kreu “krimin e fuçisë” makabër (ku bëri copë-copë, një falsifikator që donte të bënte biznes në territorin e tij). Ai ia doli 69 herë, por arrestimi i shtatëdhjetë ishte fatal. Në vitin 1930 prefekti i hekurt Cesare Mori e dënoi me burgim të përjetshëm. Cascio Ferro vdiq i harruar në burg në Pozzuoli (Napoli), pa ushqim dhe ujë, gjatë evakuimit të vitit 1943.
Lucky Luciano: Më ndikuesi
Në moshën 19-vjeçare Salvatore Lucania (1897-1962) ndryshoi emrin e tij në Charlie Luciano. “Lucky” (fat) u bë më vonë, kur në Nju Jork i mbijetoi rrëmbimit mafioz që i la një shenjë në fytyrë dhe pseudonimin. Me origjinë nga Lercara Friddi, pasi likuidoi rivalin e tij Joe Masseria, ai u bë bosi i familjes Genovese (dhe për këtë arsye revista Time e përfshiu atë në listën e 20 burrave më me ndikim të shekullit të 20-të). Në vitin 1936 u arrestua në Shtetet e Bashkuara dhe u dënua me 50 vjet burg. Ai u lirua nga burgu 10 vjet më vonë. Sipas disa historianëve, ai fitoi lirinë dhe një urdhër dëbimi për Italinë duke bashkëpunuar me amerikanët për të favorizuar zbarkimin e aleatëve në Siçili në 1943.
Al Capone: Njeriu simbol
Më shumë se një bos mafioz, ai ishte një gangster dhe përfundoi duke u bërë simboli i krimit italo-amerikan. Djali i emigrantëve nga Campania, Alphonse Gabriel Capone (1899-1947), lindi në Brooklyn. Kur ishte djalë ai u pre me thikë në një tempull për shkak të mbrojtjes së nderit të motrës së tij. Pasi u transferua në Çikago, ai u shpall “armiku publik nr. 1”, por u deshën 9 agjentë të pakorruptueshëm për ta arrestuar. Ai u dënua në vitin 1931 me 11 vjet burg, por për evazion fiskal.
Carlo Gambino: Dhelpra
Ai ishte një nga emigrantët e shumtë, Carlo Gambino (1902-1976), kur mbërriti në Nju Jork nga Siçilia në moshën 19-vjeçare. Por në gjysmë shekulli veprimtari kriminale ai arriti të themelonte, në fund të viteve 1950, një nga familjet më të fuqishme në Nju Jork, atë të Gambinos. Pa u ekspozuar shumë, i lidhur siç ishte me vlerat më tradicionale mafioze, ai e bëri dinakërinë armën e tij (por nuk u përmbajt kur ishte puna për të vrarë kundërshtarët e tij). Me stilin e tij “të modës së vjetër” ai u bë një nga modelet e personazhit të Vito Corleone në filmin Kumbari (Francis Ford Coppola, 1972). Ai vdiq nga një atak në zemër teksa shikonte një lojë bejsbolli në TV.
John Gotti, biznesmeni
Jo të gjithë mund të mburren me një kopertinë të Time si ajo e projektuar nga Andy Warhol në 1986 për John Gotti (1940-2002), bosi i familjes Gambino në Nju Jork, i gjykuar për vrasjen e paraardhësit të tij, Paul Castellano. Nën maskën e një njeriu të botës, Gotti ishte një vrasës i pamëshirshëm dhe trafikant i shquar droge. I njohur si “doni i Teflonit” për aftësinë e tij për të hequr akuza ndaj tij, ai doli i pastër nga çdo gjykatë derisa në vitin ’92, krahu i tij i djathtë e tradhtoi dhe përfundoi në burg.
Gaetano Badalamenti: Pica connection
Pica dhe mafia, nga ky këndvështrim, Gaetano Badalamenti (1923-2004) ishte një italian stereotip. Bosi mafioz i Cinisi (Palermo), don Tano ishte një nga eksponentët më të fuqishëm të Cosa Nostra, i dënuar në vitin 1987 në SHBA me 45 vjet për të ashtuquajturën pizza connection (nga emri i hetimit). Nga viti 1975 deri në vitin 1984 Badalamenti menaxhoi një trafik ndërkombëtar heroine dhe kokaine midis Palermos dhe Shteteve të Bashkuara. Shpërndarja e drogës ndodhte në pjesën e pasme të disa picerive italiane në Amerikë, ku droga arrinte e fshehur edhe mes produkteve tipike italiane. Emri i tij lidhet edhe me vdekjen e Peppino Impastato (1978), një aktivist antimafia që nga mikrofonat e radio ‘Aut’ tallej me aktivitetin e “Tano i ulur”. Për këtë vrasje Badalamenti u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2002.
Joe Bonanno: Më i riu
Një gazetar i pavëmendshëm, në një gazetë lokale amerikane, e gjymtoi emrin e tij në Joe Bananas. Ky pseudonim iu ngjit, por Joe Bonanno (1905-2002) u bë paraardhësi i një familjeje të fuqishme mafioze të Nju Jorkut. Me origjinë nga Castellammare del Golfo (Trapani), në vitin 1931, në moshën 26-vjeçare, ai u bë shefi më i ri në Amerikë. Kishte nuhatje për biznese të paligjshme, por jo vetëm dhe ndër aktivitetet e tij ishin edhe varrimet. Jo rastësisht ai përdori metodën e “arkivoli të dyfishtë” për të fshehur viktimat e vrasësve të tij nën ato të “pronarëve” legjitimë. Në vitin 1983 ai shkroi një libër autobiografik me pseudonim, por… i bindur se fotoja në kopertinë e shfaqte atë si një gangster të lirë, ai paditi botuesin e tij.
Joe Valachi: I penduari
Joseph Valachi (1903-1971) ishte i penduari i parë i madh, ai që foli publikisht për ekzistencën e mafies dhe e përkufizoi atë me termin “Cosa Nostra”. Me origjinë nga Rumania, ai jetonte në Nju Jork në kontakt të drejtpërdrejtë me bandat e fuqishme (ishte shoferi i Gaetano Reina, i klanit të fuqishëm të Joe Masseria) dhe mori pjesë në luftën mafioze të promovuar nga Joe Masseria, Vito Genovese dhe Lucky Luciano, kundër rivalit të klanit napolitan. Rrëfimet e tij ndihmuan në rindërtimin e organikës së mafies dhe për të kuptuar më mirë rregullat që e drejtonin atë. Ai vdiq nga arresti kardiak pas një tentative për vetëvrasje (1971). Historia e tij frymëzoi personazhin e Frankie Pentangeli në filmin The Godfather II (Francis Ford Coppola, 1974).
Joe Masseria: Bosi
Në Amerikë e quanin Joe Masseria (1886-1931), ose Joe bosi, por emri i tij i vërtetë ishte Giuseppe Masseria. Me origjinë nga Castellammare del Golfo, në provincën e Trapanit, në moshën 43-vjeçare ai fitoi një pseudonim të denjë, diçka si “njeriu që mund t’u shmanget plumbave”, për shkak të një prite nga e cila doli për mrekulli i padëmtuar dhe me dy vrima plumbash në kapelën e tij prej kashte. Nga viti 1920 ai komandonte bandën Morello, një nga klanet më të fuqishme në Nju Jork. Vrasja e tij u urdhërua në vitin 1931 nga bosi Lucky Luciano, gjatë konfliktit italo-amerikan për udhëheqje, në Nju Jork midis Maranzanos dhe Masserias.