Pasditen e së martës, Blendi Fevziu ishte i ftuar në “Rudina” në Tv Klan për të folur mbi suksesin e librit të tij “Enver Hoxha”, i përzgjedhur nga “The Guardian” si një ndër më të mirët lidhur me regjimin komunist. Gazetari rrëfeu ngjarje historike, zbuloi projekte të reja ndërsa iu përgjigj edhe “31 pyetjeve” të rezervuara për të.
Detaje të jetës së përditshme, momente familjare, sfida, kujtime dhe qëllime për të ardhmen, të gjitha të përmbledhura në një intervistë tepër interesante.
Rudina Magjistari: Intervista e parë në karrierën tënde si gazetar, cila ka qenë? E mban mend?
Blendi Fevziu: Ka qenë një intervistë në gazetën “Studenti”, që ma ka bërë kryeredaktori i gazetës “Studenti” në atë kohë, lidhur me një rubrikë që unë dhe Ben Blushi bënim.
Rudina Magjistari: Si e menaxhon Blendi stresin? Se gazetaria është një profesion që ka shumë stres.
Blendi Fevziu: Tani kam eksperiencë dhe arrij ta menaxhoj, natyrisht ka shumë stres. Por e menaxhoj me eksperiencë. Tani nuk më shqetëson asgjë. Vjen një moshë që ti e kupton se tensionet, gjërat i kalon me mospërfillje dhe të tjerët që mundohen të stresojnë e kuptojnë se ty s’të prek kjo dhe heqin dorë.
Rudina Magjistari: Këshilla më e mirë që do i jepje Blendit 19-vjeçar.
Blendi Fevziu: Çdo njeriu i jap të njëjtën këshillë, ndiq pasionin tënd, të njëjtën gjë i them edhe vajzës time. Unë mund të jap këshilla për çdo gjë që më pyet, por në fund ndiq instinktin. Njeriu duke ndjekur pasionin dhe instinktin e tij mund të gaboj shumë herë, por 19 vjeç le të gaboj sa herë të dojë.
Rudina Magjistari: Por jo çdo 19-vjeçari, vetes tënde 19-vjeçar duke pasur parasysh se si të ka ikur jeta. Për çfarë ke qenë i shqetësuar kur ke qenë 19 vjeç dhe çfarë në fakt të ka dalë ndryshe?
Blendi Fevziu: Unë nuk kam qenë i shqetësuar as 19 vjeç, ka qenë i shqetësuar im atë, i cili vazhdimisht thoshte mos shko në shkollë të lartë se do mbarosh, do të hedhin në veri, do ngelesh andej, rri këtu. Unë i thosha punë e madhe, diçka do ndodhi. Edhe ndodhi. Kam bërë gjithçka si e kam dashur. Familja ime iku në Amerikë, unë nuk ika ndejta në Shqipëri. Për çdo gjë që kam bërë, tani që e mendoj nuk jam bërë pishman. A ka gjëra që mund t’i bëja më mirë? Sa të duash, por nuk ka gjë që nuk përmirësohet.
Rudina Magjistari: Cili është pseudonimi me të cilin të kanë thirrur në fëmijëri?
Blendi Fevziu: Në gjimnaz më thërrisnin Butragenio, ishte emri i një futbollisti spanjoll. Ndoshta për ngjashmëri fizike në fytyrë.
Rudina Magjistari: Po ndërkohë luaje futboll?
Blendi Fevziu: Jo, jo, luaja si gjithë të tjerët, por jo me klasat sportive që njiheshin në atë kohë.
Rudina Magjistari: Cila është pija e preferuar e Blendi Fevziut?
Blendi Fevziu: Vera e kuqe.
Rudina Magjistari: A bën trajtime estetike Blendi Fevziu?
Blendi Fevziu: Jo, jo. Vetëm nëse fusim masazhet kur jam me udhëtime. Megjithatë i vlerësoj maksimalisht njerëzit që kujdesen për veten.
Rudina Magjistari: Cili është filmi i fundit që ke parë?
Blendi Fevziu: Unë fokusohem më shumë në filmat historik. Së fundi kam riparë një nga filmat më të jashtëzakonshëm Abraham Lincoln. Është një film fantastik që tregon se si qenia njerëzore transformohet në dispozicion të idesë së tij. Abraham Lincoln, një nga njerëzit më të ndershëm të historisë së botës, arriti të merrte përmes ryshfeteve dhe makinacioneve, të blinte vota për të miratuar një nga ligjet më të rëndësishme, abrogimin e skllavërisë.
Rudina Magjistari: Shteti i parë i huaj që ke vizituar?
Blendi Fevziu: Italia.
Rudina Magjistari: Cila është ëmbëlsira jote e preferuar?
Blendi Fevziu: Bakllavaja.
Rudina Magjistari: Cili është një objektiv që ke vendosur për të ardhmen tënde tani që flasim?
Nuk kam një objektiv, një objektiv që kam pasur është të shkruaj këtë librin “Tirana e nonës”. Do shkruaj edhe një libër për të gjithë atë që quhet karriera ime, por do ketë kohë deri atëherë. Nëse quhet objektiv, dua të vizitoj sa më shumë vende.
Rudina Magjistari: Ngjyra jote e preferuar?
Blendi Fevziu: Bluja.
Rudina Magjistari: Cila është gjëja më e bukur që të kanë mësuar vajzat?
Blendi Fevziu: Të kthehem në shtëpi me qejf. Është tjetër entuziazëm kur shkon në shtëpi e të pret vajza përjashta.
Rudina Magjistari: Më thuaj emrin e dikujt që e konsideron si ikonë të gazetarisë?
Blendi Fevziu: Mua një nga njerëzit që më ka mahnitur me gazetarinë e ti ishte Kurcio Malaparte, ai është mes gazetarisë dhe letërsisë. Ka qenë aktiv në luftën e dytë botërore. Janë mahnitëse reportazhet dhe librat e tij.
Rudina Magjistari: Momenti më i vështirë në karrierën tënde?
Blendi Fevziu: Momenti më i vështirë, më duket se e kam thënë diku, nuk jam shumë i sigurt, ka qenë një moment, kur ime më ndërroi jetë në Boston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U deshën 6-7 ditë që të vinte trupi i saj. Ne shkuam bëmë varrimin, të pasnesërmen duhet të nisesha për në Kosovë sepse kisha lënë një intervistë shumë të rëndësishme me Hashim Thaçin që në atë kohë u akuzua nga Dick Marty për këtë gjë që po gjykohet sot. Kisha lënë një intervistë me të, ndërkohë që 4 ditë kisha futur emisione të regjistruara sepse duhet të rrija në shtëpi të prisja njerëz.
Atë ditë kur po bëhesha gati të nisesha më thanë që daja i mamit, njeriu që më kishte rritur, që rrinte në shtëpi po me ne aty, kishte ndërruar jetë dhe ai. Ishte një dilemë e tmerrshme sepse ndërkohë u detyrova të mbaroj të gjitha gjërat, mora në telefon, thashë nëse mund të më vini një eskortë policie në pjesën e Kosovës se rruga jonë ishte bërë ndërkohë, mund të shkoje. Ata më vunë në fakt një eskortë dhe unë kam arritur 4 minuta para emisionit, por imagjino se si mund të shkojë njeriu në emision kur një ditë para ka varrosur nënën, një ditë tjetër njeriun më të afërt, megjithatë ndonjëherë ti e kupton që raporti me detyrën është i tillë që ti nuk mund të shkosh.
Këtë gjë ua them shpesh të tjerëve, sa e thjeshtë duket kur ti e sheh nga jashtë, por ti ka ditë që je me 40 temperaturë dhe duhet të jesh atje në studio sepse ti s’mund ta lësh studion bosh. Në 25 vjet e gjysmë unë s’kam munguar asnjë ditë të vetme. Ti mund të kesh ditë që mund të jesh i mërzitur, ti mund të kesh shqetësimet e tua personale, ti mund të kesh shqetësime familjare, ti mund të kesh lodhje fizike. Me 40 kam hyrë në studio, marr një gjë për të më ulur tensionin, duhet të rri edhe në këmbë. Kam qëlluar që i kam thënë stafit më vini një stol që të paktën mos të ndiej lodhjen ose mos të më merren mendtë dhe askush që është përballë televizorit nuk do t’ia dijë fare për këtë, si je ti, si s’je ti dhe ti gjykohesh.
Rudina Magjistari: Cila është motoja që ë ka shoqëruara gjatë gjithë jetës tënde?
Blendi Fevziu: Motoja që puna shpërblen gjithçka.
Rudina Magjistari: Cilët janë tre fjalët me të cilat do përshkruaje jetën në Shqipëri?
Blendi Fevziu: E vështirë, shumë eksituese në kuptimin pozitiv të fjalës pasi ti je gjithë kohës duke u përballur me sfida dhe e treta shumë më komode se në vendet e tjera. Të paktën për mua.
Rudina Magjistari: Gjuha e huaj që flet më mirë?
Blendi Fevziu: Mes italishtes dhe frëngjishte, por edhe anglishtes. Italishten besoj më mirë.
Rudina Magjistari: Si i ke mësuar këto gjuhë?
Blendi Fevziu: Për frëngjishten kam bërë disa leksione, diku 6 muaj. Italishten e kam mësuar nga televizori si pjesa më e madhe e shqiptarëve, anglishten me vesh, nga udhëtimet.
Rudina Magjistari: Ke mbajtur kafshë shtëpiake?
Blendi Fevziu: Asnjëherë. Nuk jam shumë fans i kësaj. Sepse duhet të kujdesem dhe nuk kam kohë që të merrem unë dhe me to.
Rudina Magjistari: Piktura më e shtrenjtë që ke në shtëpi?
Blendi Fevziu: Nuk e di pikturën më të shtrenjtë se duhet të marrin vlerësim nga specialist, por kam një pikturë që ka një vlerë shumë të madhe personale për mua, është një pikturë që quhet “Kënga Labe”, e Maks Velos. Ajo është një nga 4 pikturat që i mbijetoi arrestimit të Maks Velos dhe djegieve të pikturave nga sigurimi i shtetit sepse Maksi e kishte lënë në shtëpinë e Kadaresë. Kur Maksi doli nga burgu pas 8 vitesh Kadare e thirri në shtëpi dhe ia ktheu. Unë i shkova Maksit, por ai nuk e shiste. Unë i thashë, “Maks një ditë ndoshta do vdesësh dhe nuk dihet se ku do shkoj piktura”. Ai më tha merre me një çmim shumë të lartë, por e mora dhe e mbaj në dhomën e ndenjes. Emocionalisht kjo ka një vlerë më të madhe për mua.
Rudina Magjistari: Shenja e horoskopit?
Blendi Fevziu: Demi.
Rudina Magjistari: Ku i mban shënimet në bllok apo në telefon?
Blendi Fevziu: Shënimet i mbaj në telefon tani, por kur bëj mbledhje mbaj gjithmonë një bllok dhe një stilolaps ku bëj skemën e emisionit. Shënimet i mbaj në celular. Shkrimi me stilolaps ka tjetër efekt. Por për të shkruar shkruaj në iPad, edhe librin fizik e kam shmangur se lexoj në iPad.
Rudina Magjistari: Ke shkruar ndonjëherë poezi?
Blendi Fevziu: Po, patjetër. Po të më kishe thënë më herët do të kisha sjellë një poezi nga fakulteti.
Rudina Magjistari: Ku e shikon veten pas një dekade?
Blendi Fevziu: Ky është një vend ku parashikimet nuk të ecin. Më mirë mos parashiko.
Rudina Magjistari: Të pëlqen më shumë të bësh surpriza, apo të marrësh surpriza?
Blendi Fevziu: Në përgjithësi nuk i kam qejf as kur i bëj as kur mi bëjnë, më duket si diçka e kërkuar.
Rudina Magjistari: Çfarë nuk mungon kurrë në tryezën tënde të vaktit të mëngjesit?
Blendi Fevziu: Unë në fakt pi vetëm kafe në mëngjes. Kafja nuk mungon kurrë.
Rudina Magjistari: Fototja që mban në ëallpaper-in e telefonit tënd?
Blendi Fevziu: Me gocën, kur ka qenë pa mbushur një vjeçe dhe me gocën e madhe. Kjo foto është bërë në ditën e ditëlindjes sime në 2016. Goca ishte e vogël fare s’kishte mbushur 6 muaj, me gocën e madhe dhe e kemi bërë në verandën e shtëpisë.
Rudina Magjistari: Cili është personaliteti i historisë me të cilin do kishe dashur të bëje një intervistë?
Blendi Fevziu: Personazhi absolut që më ka ndikuar në jetën time…po i bëj katër, por shkurt fare. Personazhi që më ka mahnitur në fëmijërinë time dhe të cilit i dija çdo detaj të karrierës së tij, është Napoleon Bonaparte. Është absolutisht një personazh që ka ndryshuar historinë e globit dhe një prej gjenialiteteve që kanë lëvizur. Një personazh i dytë shumë interesant është Ëinston Churchill, mënyra si ka lëvizur, por edhe jeta që bënte jo vetëm arritjet politike. I treti Ronald Regan. Nuk e harroj kurrë, ditën që u zgjodh President mua më kishte zënë gjumi, im at erdhi, ishte shumë entuziast erdhi te krevati dhe më tha u zgjodh Ronald Regan. Unë nuk e kuptova mirë se isha përgjumësh, të nesërmen i thash ç’është ky President me këtë emër. Xhimi e kishte më kollaj. Por më pas e kam parë se ishte një presidenti i jashtëzakonshëm. I vendosur më shumë se i jashtëzakonshëm. Këta janë tre personazhe që më kanë intriguar më shumë, mes tyre ishte edhe Margaret Thatcher.
Rudina Magjistari: Doja ta mbyllja me një pyetje për televizionin. Si e gjykon ti mënyrën se si bëhet televizion në Shqipëri? Duket sikur ka një përplasje zhanresh, duket sikur ka hapësirë për të gjithë. Ti si e gjykon?
Blendi Fevziu: E para ka një transformim ë fortë të mënyrës së komunikimit, rrjetet sociale, mediat online, bota po vjen duke u specializuar. Që do të thotë 4-5 televizione të mëdha CNN, BBC, Russia Today, Al Jazeer, po mundohen të shtrihen në nivel global për të mbuluar lajmin, ndërkohë televizione të tjera po shkojnë drejt PayTV. Ky është një lloj transformimi i madh. Shqipëria ka një kaos të numrit shumë të madh të televizioneve që qarkullojnë, i cili vjen në një kohë kur ajo torta e madhe po vjen duke u reduktuar. Unë nuk e kuptoj se cili është qëllimi i kaq shumë televizioneve. Relativizmi i gjësë është shumë më dramatik se censurimi i gjësë. Kjo do të thotë se duke e relativizuar të vërtetën, duke e relativizuar lajmin me shumë emisione dhe studio, i humb vlerën reale që ai ka. Në këtë aspekt kemi një situatë kaosi. Megjithatë televizioni është shumë i fortë.