Ditën e sotme në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, kanë raportuar për punën e tyre gjatë vitit 2023 drejtuesit e lartë të institucioneve të drejtësisë në vend.
Pas përfundimit të raportit të kryeprokurorit të Përgjithshëm Olsion Çela, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka drejtuar pyetje lidhur me hetimet për laboratorin e drogës në Xibrakë, çështjen e mikrokredive dhe ndërtimet pa leje.
Madje Bardhi ka hedhur edhe akuza të forta ndaj Çelës, duke thënë se ai është një prokuror politik që është zgjedhur me votën e kryeministrit Edi Rama dhe vëllait të tij, Olsi Ramës, që sipas kreut të grupit të PD, ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës.
“Jeni emëruar me votë politike vetëm të mazhorancës së drejtuar nga Rama pa gjithëpërfshirje në Kuvend. Pas një eksperience tuajën si prokuror i çështjes së Xibrakës, ju jeni ekzaktësisht prokurori i asaj çështjeje që veçuar një procedim për një numër të konsiderueshëm personash që për ju ishin të paidentifikuar.
Madje sipas gjykatës hetimet për atë çështje u dekonspiruan. Nuk pati asnjë hetim nga ju për dekonspirim dhe largimin e krerëve të organizatës kriminale. Madje latë pa hetuar ata që njihen si kokat e këtij grupi kriminal. A ja rekomandoni këtë model hetimi vartësve tuaj në prokuroritë e rretheve? Ju u emëruat prokuror i përgjithshëm me votë politike të vëllait të Edi Ramës, Olsi Ramës.
Pyetja e dytë është se prokuroritë e rretheve nën varësinë tuaj kanë pasur vazhdimisht denoncime për fenomenin shqetësues të mikrokredive. A mund të na thoni sa hetime ka për personat e përfshirë në skandal.
Pyetja e tretë publikisht por edhe gjatë raportimit tuaj në Kuvend, janë denoncuar dhjetëra raste të shtesave apo ndërtimeve pa leje në kulla në Tiranë apo edhe në bregdet. A ka patur hetime, procedime apo dënime lidhur me këto raste?”, tha Bardhi.
Ndërkohë kryeprokurori Çela për pyetjen për laboratorin e drogës në Xibrakë nuk i është përgjigjur, duke i thënë Bardhit se nuk e ndihmon raportimin në interes të qytetarëve sepse sipas tij, çështja nuk shtrihet përgjatë vitit 2023.
Ndërsa për çështjen e mikrokredive dhe ndërtimeve pa leje, Çela tha se po punohet në të gjitha prokuroritë dhe shtoi se i kishte kërkuar vartësve të tij hetime sa më të thelluara.
“Sa i përket çështjes së ndërtimeve pa leje është trajtuar me seriozitet. I kam kërkuar prokurorive ta trajtojnë me vëmendje maksimale këtë çështje.
Sa i përket pyetjes së mikrokredive, ky është një fenomen shqetësues. Ka vendimmarrje lidhur me to. Një prej këtyre çështjeve është bërë publike. Mbetet të shihet si do vijojë hetimi dhe gjykimi për këto çështje. Ajo që u është kërkuar prokurorive është nxitja për përshpejtimin dhe thellimin e hetimeve, aq sa i lejohet të bëjë prokurorit të përgjithshëm.
Sa i përket pyetjes së parë, do i referohem asaj që tha drejtuesja e seancës se ky është një raportim për punën e prokurorisë për vitin 2023. Është në detyrën time si prokuror i përgjithshëm dhe tuajën si deputet që t’i përmbahemi kuadrit kushtetues dhe ligjor që siguron trajtimin e këtij raportimi në funksion të interesit të qytetarëve”, tha Çela.