Mësuesi i shkollës 9-vjeçare “Sotir Gurra”, i arrestuar nga policia e Korçës për ngacmime seksuale ndaj një nxënëseje, dyshohet se prej kohësh kishte krijuar varësi nga alkooli. Të paktën këtë fakt e pohon në një prononcim bashkëshortja e tij, e cila, pasi kërkon ndjesë për veprimin e bashkëshortit, shpjegon edhe gjendjen në të cilën ai ndodhej dhe përpjekjet që po bënte për t’u shkëputur nga kjo varësi.
“Bashkëshorti im ka kaluar prej një viti në gjendje depresive, alkoolike, të rënduar, gjë që e çoi deri në këtë pikë. Gjatë procesit mësimor bënte luftë me veten e tij, sepse ata që e dinë ç’është alkooli, e dinë shumë mirë se një njeri i alkoolizuar, të qëndrojë i pa dehur gjatë ambienteve, për orare, 8 orë, ose 6 orë, në ambientet shkollore, që ajo shkollë është e nderuar nga një staf pedagogjik shumë i kualifikuar dhe me një drejtor shumë të mirë, e dinë shumë mirë, që Bledi në ambientet e shkollës nuk shkonte i dehur me alkool të konsiderueshëm, që të bënte veprime jo të denja. Kjo ka qenë vetëm një gjendje debulese dhe gjendje dobësie e tij, e shkaktuar nga alkooli. Gjë që ne do ta vërtetojmë me dokumente, ku ai ka bërë shtrime të herëpashershme në spitale për varësi të alkoolit”, thotë bashkëshortja e Duros.
Burime nga stafi i mësuesve të shkollës “Sotir Gurra” shprehen se ishin në dijeni të problemeve që mësuesi Bledar Duro kishte me alkoolin, por çuditërisht asnjë nuk pohon nëse është sinjalizuar drejtoria rajonale e arsimit parauniversitar në Korçë lidhur me këtë problematikë. Askush nga drejtoria rajonale nuk jep sqarime nëse ishin në dijeni të varësisë ndaj alkoolit që kishte mësuesi Duro.
Hetimet e nisura ndaj këtij të fundit, pas denoncimit të nxënëses, pritet të verifikojnë nëse problemet me alkoolin kanë ndikuar në sjelljen e tij apo nëse është një tentativë për të justifikuar ngacmimet seksuale ndaj nxënëses.