Nga Ani Jorgo Thomai – Analiste dhe eksperte ekonomie
Kushtuar babit tim, në nder të kujtimit të tij!
Jeta e njeriut përbëhet nga probabilitete dhe kombinacione, të cilat shërbejnë për të optimizuar zgjedhjet dhe zgjidhjet e gjithsecilit. Është kjo arsyeja përse përpara tre dekadave në vendin tonë kërkohej ndryshim i sistemit të ekonomisë së centralizuar. Pavarësisht zhvillimeve të vrullshme, në fillimet e ndërtimit të sistemit të ri politik dhe ekonomik, të pas Luftës së dytë Botërore në vendin tonë, sistemi i ekonomisë së centralizuar, nuk i përmbushte nevojat ekonomike të popullsisë, para viteve 90 të shek. XX. Ritmet e rritjes ekonomike nuk po ndiqnin ritmet e rritjes së kërkesës në treg. Ky fenomen reflektohej me mungesë të produkteve në treg dhe ulje ekstreme të fuqisë blerëse. Ekonomia e vendit po haste vështirësi, për këtë arsye, në Shqipëri kërkohej ndryshim i sistemit ekonomik dhe politikave të cilat e mbështesnin atë. Modelet ekonomike të vendeve perëndimore kishin në themel krijimin dhe zhvillimin e pronës private. Të tërhequr nga këto modele, në Shqipëri u vendos të privatizohej ekonomia.
Filloi epoka e privatizimeve!
Privatizimi i ekonomisë së centralizuar, nisi me privatizimin e industrisë së lehtë dhe ushqimore, ndjekur nga privatizimi i ekonomisë agroblektorale dhe tokës bujqësore. Cilat ishin pasojat e këtyre veprimeve? Çorientim total i ekonomisë dhe papunësi masive. Mungesa e studimeve ekonomike të thelluara për hartimin e strategjive ekonomike, të cilat do t’u paraprinin veprimeve të qeverive të kohës, nxiti lindjen e marrëdhënieve tregtare private individuale dhe si pasojë formimin e tregjeve private në të gjithë vendin. Fluksi më i lartë i shkëmbimeve tregtare, realizohej në segmentin Tiranë-Durrës, në masën 80% të të gjithë fluksit tregtar në Shqipëri. Ky fakt shpjegon mbipopullimin e këtij territori, pasojë e të cilës do të ishte lulëzimi i industrisë së ndërtimit. Duke marrë rolin e industrisë së prodhimit dhe jo pjesë plotësuese ose mbështetëse e saj, ndërtimi do të kthehej në shtyllën kurrizore të zhvillimit të ekonomisë në këtë periudhë. Në mënyrën se si zhvillohet ekonomia, duket qartë se edhe pse dëshira e zhvillimit të iniciativës private ishte e fortë, shqiptarët nuk i shmangen dot karakteristikave të zhvillimit të ekonomisë së centralizuar, reflektuar me mbipopullimin e segmentit Tiranë-Durrës (grumbullimi rreth qendrës) dhe dhënies rëndësi të rolit të njëshit, rol të cilin e luanin partitë politike të cilat i linin radhën njëra tjetrës në pushtet. Si pasojë, rezultatet e zhvillimeve ekonomike nuk përmbushnin ëndrrat e shqiptarëve në fillimin e këtij rrugëtimi. Rezultatet e këtij zhvillimi ishin:
– zhvillime të fuqishme politike
– lëvizje masive demografike
– trauma të forta sociale-ekonomike
– tendencë për krijimin e tregut të lirë dhe ekonomisë private
Çfarë ndodhi me prodhimin industrial dhe bujqësor në vend, krahasuar me kohën e ekonomisë së centralizuar?
Forma se si u transformua ekonomia e centralizuar në kapitaliste, i gjeti të papërgatitur shqiptarët. Ata nuk dinin t’i zhvillonin pronat e tyre, të cilat ose do t’i tregtonin ose do t’i linin djerrë. Në këto kohë, ekonomia kombëtare nuk bënte asnjë gjë, veçse treste dhjamin e krijuar në ekonominë e centralizuar. Hartimi i projekteve afatshkurtra nga qeveritë e kohës për realizimin e fitimeve të shpejta, të cilat përmbushnin interesat e pushtetarëve, e futën ekonominë shqiptare në një rrugë pa krye në 30 vite, e cila gjeneron veç kriza ciklike, objekt premtimi për t’u zgjidhur nga forca të ndryshme politike. Politika hidhte vallen e trimave, ndërkohë që ekonomia këndonte «Kangët e mjerimit». Në krye të rrugëtimit 30 vjeçar shqiptarët u gjendën në situatën: «rruga më e shkurtër, del më gjatë», pasojë e ekonomisë kapitaliste të lindur distrofike dhe të zhvilluar anemike. Përgjatë tre dekadave ekonomia e vendit gjendet në ngërç .
I njëjti fenomen nuk ka ndodhur me politikën. Në këto tre dekada, politika u zhvillua fuqishëm në forma dhe trajta nga më të ndryshmet duke i shpërblyer mirë financiarisht ata të cilët përfshiheshin në të, me pasuritë e këtij vendi. Qendra e zhvillimeve 30-vjeçare politike dhe ekonomike u bë Tirana. Kryeqyteti ynë është sot qendër e zhvillimeve politike ekonomike sociale kulturore, e gjithfarë lloj zhvillimesh të tjera legale ose jo. A e ka luajtur si duhet rolin që kryeqyteti ynë ka marrë përsipër këto tre dekada? Përgjigja është jo! Fakti që zhvillimet negative dominojnë mbi zhvillimet pozitive, duke i lënë shqiptarët të enden rrugëve të botës si konkretizim i shprehjes : «kush s’ka kokë, ka këmbë», tregon qartë që : Tirana nuk e luan dot rolin e marrë përsipër. Në këto kushte duhet të mendohet për ndërtimin e modeleve të reja të zhvillimit të ekonomisë kombëtare .
Në referencë të përmbledhjes së mësipërme të zhvillimeve të ekonomisë kombëtare, fjala e munguar ishte PRODHIM. Zhvillimi i ekonomisë përgjatë tre dekadave nuk u mbështet në prodhim. E vetmja degë e ekonomisë e cila zhvilloi prodhimin pa ndërprerje nga koha e ekonomisë së centralizuar, ishte industria nxjerrëse dhe përpunuese, veçanërisht ajo e naftës. Në qoftë se do t’u referohemi statistikave te zhvillimit të ekonomisë, më tepër se 50% e të ardhurave të ekonomisë janë gjeneruar nga kjo degë e industrisë. Rëndom ndërtuesit shprehen, se më tepër se ½ e ndërtimeve dhe zhvillimeve ekonomike të segmentit Tirane – Durrës, është financuar me të ardhurat nga nafta. Nga këto të dhëna lind pyetja: A është Tirana kryeqyteti ekonomik i vendit? De jure Tirana është kryeqyteti ekonomik i vendit, de facto kryeqyteti ekonomik i vendit është Fieri, qendra e zhvillimit të industrisë së prodhimit të naftës dhe gazit, dominuese e industrisë së prodhimit në tërësi në vend.
Mospërputhja e kryeqytetit ekonomik dhe politik të një shteti, nuk është fenomen i cili shfaqet në vendin tonë. Një formë e tillë e zhvillimit të ekonomisë vendeve, shfaqet në Itali, U S A, Kanada, Australi etj., të cilat na prezantojnë modele të suksesshme zhvillimi të ekonomisë. Ka ardhur koha edhe ne vendin tonë të mendohet për ndërtimin e një kryeqyteti ekonomik de facto dhe de jure.
Në kohët e marramendjes politike, që sjell vërdallë një popull të tërë, qarku i Fierit me dominancën e prodhimit industrial dhe bujqësor në vend, tashmë duhet të zhvillohet si kryeqyteti ekonomik i vendit de jure, me ngritjen e institucioneve financiare të cilat në Tiranë janë formale dhe nuk funksionojnë, si p.sh. Bursa Shqiptare, ndoshta e emërtuar «Bursa e Apollonit». Ngritja e një institucioni të rëndësishëm financiar, i cili do të jetë matës i treguesve ekonomik dhe nxitës i tyre, pasuar dhe nga institucione të tjera financiare, do të shërbejnë për konsolidimin e tregjeve aktuale financiare, tregjeve të prodhimit, si dhe nxitjen e krijimit të tregjeve të reja në të gjithë vendin. Rrjedhimisht, financat e Qarkut Fier nuk do të shërbejnë më si injeksione për të mbajtur në këmbë ekonominë e Tiranës, por do të zhvillojnë fuqishëm ekonominë kombëtare, duke u riinvestuar brenda Qarkut për ngritjen e institucioneve kombëtare të cilat do të mbështesin këtë projekt.
Projekti, të cilin unë ideuesja dhe hartuesja e tij e kam titulluar «GEORGI 35», ka si synim : ngritjen dhe funksionimin e një qendre shqiptare me zhvillim ekonomik-financiar të spikatur në vend, me qëllim rritjen e fleksibilitetit dhe qëndrueshmërisë së ekonomisë së vendit, me ambicien në perspektivë, për të luajtur këtë rol në Ballkan.
Lind pyetja, përse u përzgjodh qarku i Fierit për realizimin e projektit? – Për karakteristikat e qytetit industrial që mbart, por edhe në kontekstin e vendndodhjes krahinore ku shtrihet ky qytet. Fieri ndodhet midis dy krahinave më të pasura të vendit, ultësira perëndimore dhe riviera shqiptare, duke e klasifikuar këtë qytet, në qytetin me vlerën reale financiare më të lartë në vend. Historia na tregon për Tiranën, si e përzgjedhur rastësisht kryeqyteti i vendit, ndërsa Fieri është natyrshëm kryeqyteti ekonomik i vendit . Me pasuri nëntokësore të pazbuluara dhe mbitokësore të paçmuara, Fieri është qyteti i cili mbart dhe vendos natyrshëm ekuilibrat ekonomik dhe financiar në vend.
Para viteve ‘90 në qarkun e Fierit funksiononin dy nga institucionet më të rëndësishme kërkimore-shkencore, Instituti i naftës dhe gazit në Fier dhe Instituti bujqësor në Lushnje. Ringritja e këtyre qendrave kërkimore-shkencore, do të ishte hapi tjetër për vlerësimin e potencialeve pasurore mbitokësore dhe nëntokësore të qarkut në vektorin kohë. Çdo punim shkencor i realizuar në këto institucione, i vlerësuar pranë një organizmi financiar si Bursa Shqiptare dhe institucione të tjera ekonomike mbështetëse të saj, do të sillte një lidhje të pandashme të ekonomisë me prodhimin duke i dhënë një hop cilësor zhvillimit të prodhimit industrial dhe bujqësor në vend. Shumëfishimi i financave të rajonit, nëpërmjet nxitjes së studimeve shkencore dhe vlerësimit financiar të produktit final të tyre, do të konturojë qartë tiparet e dy qyteteve: Fieri si qytet industrial dhe Lushnja si qytet bujqësor, për të cilën ambiciet duhet të jenë për zhvillimin e një qyteti ekologjik. Zhvillimi i këtij qarku nuk duhet të ndalë këtu. Trashëgimia arkeologjike, historike, me vendndodhjen në breg të detit, janë pikënisjet e zhvillimit të industrisë së turizmit masiv, e cila duhet të kulmojë në qarkun e Vlorës me zhvillimin e turizmit elitar. Është kjo rruga si mund të transformohet qyteti i kaltër i Vlorës për një kohë të shkurtër në kryeqytetin e luxit, në konkurrencë me qytete të tjera mesdhetare të këtij lloji.
Ngërç politik apo ekonomik?
Natyrisht ekonomik!
Lëreni politikën të rritet dhe të zhvillohet në habitatin e vet në Tiranë dhe zhvilloni ekonominë, nëpërmjet rritjes së prodhimit duke i ndërtuar perandoritë tuaja larg politikës. Thënia «politika është privilegj i të pasurve» e gjen konkretizimin në situatën e vendit tonë, me politikanë të pasuruar dhe sipërmarrës të rrënuar. E mbivlerësuar financiarisht këto 30 vite, Tirana ka rezultuar një iluzion i deformuar i së ardhmes.
«Zhvilloni industrinë e rëndë,- do te shprehej ish presidenti i Francës De Gol,- n.q.s nuk dëshironi t’i shikoni francezët, të shesin vetëm mbajtëse çelësash me simbolet e Francës, rrugëve të Parisit».
P.S.
Ky artikull është shkruar në 17 mars 2020, në përvjetorin e lindjes të babit tim, i cili është ideuesi dhe frymëzuesi i tij dhe botohet sot në vitin e parë të ndarjes së tij nga jeta.