Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka falenderuar të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në protestën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme për vrasjen e 7-vjeçares Jonada Avdia e cila humbi jetën si pasojë e goditjes nga skafi me drejtues ish-policin Arjan Tase. Berisha tha se ky “është një krim i mirfilltë shtetëror”.
“Dua të falenderoj të gjithë qytetarët, të cilët organizuan vetë një protestë qytetare, të madhe për një çështje thellësisht tronditëse për shoqërinë shqiptare dhe për çdo vend ku do kishte ndodhur. Të dhënat që dalin rreth këtij problemi, gjithçka flet për një krim të mirëfilltë shtetëror. Skafi ishte me të gjitha ligjet, i ndaluar të përdorej aty ku u ndodh. Skafisti ishte i palicencuar për përdorimin e skafit”, tha Berisha në një konferencë për mediat.
Kryetari i PD-së, u ndal dhe tek përgjigja e ministrit Çuçi për akuzat e drejtuara ndaj tij nga Berisha.
“Arjan Tase, me origjinë nga Përmeti, u rikthye në detyrë nga dy ministrat. Ai nuk plotësonte asnjë kusht, përveç lidhjeve të forta me dy ministrat. Të dhënat tjera janë shumë tronditëse. Ministri i Brendshëm apo ministri i familjes, rezulton të jetë anëtar i një shoqate të mbushur me trafikantë dhe kontrabandistë, për të cilët media ka nxjerrë emra dhe fakte.
Pas tre ditësh, Bledi Veltari, në mënyrën më të papranueshme, shkon në verbërinë e tij dhe shpirtkazmërinë e tij, nuk gjen dy fjalë për të shprehur ngushëllim për familjen. Shikoni deri në çfarë shkalle arrin çnjerëzia e këtyre ministrave të degraduar. Bën një status të gjatë, që e fillon e mbaron me Sali Berishën, dhe nuk gjen një hapësirë minimale për familjen që humbi fëmijën pikërisht për shkak të këtij soj ministri”.
Referuar tragjedisë në Potam, Kryetari i Partisë Demokratike ngriti akuza se “kamerat nga vendngjarja janë zhdukur”.
“Janë zhdukur kamerat nga vendi i krimit janë bërë përpjekje të mëdha për të fshehur gjurmët e krimit. Jo vetëm autori tentoi të largohej, por janë zhdukur edhe kamerat që regjistruan skenën e krimit. Persona, kriminelë njësoj si Arjan Tase, kanë marrë kamerat menjëherë dhe i kanë zhdukur”.
Kreu i PD-së, i ka kërkuar kryeministrit Rama të shkarkojë ministrat Çuçi dhe Kumbaro, teksa ka theksuar se qytetarët i kanë lënë 72 orë afat.
“Me këtë rast, unë i kërkoj Edi Ramës të shkarkojë menjëherë të dy ministrat. Ky është hapi më minimal. Qytetarët janë të revoltuar. Nuk mund ta kapërcejë Edi Rama me halucinacione, me vampirë politikë e mediatikë. Me këtë mbrojtje, Rama meriton një revoltë të madhe popullore. Në vend të një ndjese qindra herë përpara shqiptarëve, deklaron se kemi organizuar sezonin më të përsosur. Se si mund të flitet për përsosmëri, kur ndodhin krimet më makabre, atë e din vetëm mendja e tij. I përgëzoj edhe njëherë qytetarët. Ata i kanë lënë qeverisë 72 orë për të reflektuar. Uroj të merren vendimet e duhura. Por natyrisht, PD mbështet fuqishëm protestën e drejtë të qytetarëve për një krim të rëndë shtetëror“, përfundoi Berisha.