Ngjarja që tronditi qytetin e vogël të Kavajës dhe të gjithë opinionin publik nisi si një histori dashurie mes dy shokësh klase, vijoi me një abuzim seksual dhe u mbyll me denoncimin para se të miturën ta prostituonin për të blerë pajisje lojërash në internet.
Gjithçka nisi në ditën kur i dashuri i së miturës mbushte 14 vjeç, moshë që përkon dhe me mbajtjen e përgjegjësisë penale për të miturit.
Ai i kërkoi asaj të kryenin marrëdhënie seksuale si dhuratë për ditëlindjen e tij.
Komunikimet mes tyre në Instagram, prokuroria i ka në dorë si provë. Kryerja e aktit seksual në fund të tetorit të vitit të kaluar do të çelte kalvarin e abuzimeve të vazhdueshme me vajzën.
Njëri nga shokët që i ruante jashtë ish-bilardos së prindërve i kishte filmuar. Të paktën kështu pretendon i dashuri i vajzës. Dhe nën kërcënimin për publikimin e videos në internet, vajza kaloi “dorë më dorë” tek 7 të mitur të tjerë, e detyruar për të mos turpëruar veten dhe familjen.
Në çdo marrëdhënie seksuale e mitura kërkonte fshirjen e videos së turpshme nga celulari, por abuzimet vazhduan.
Njëri nga të miturit abuzues, duke thënë se të afërmit e saj kishin armë, e kërcënoi dhe se do t’i vrasë dy motrat, nënën dhe babain nëse nuk do të kryente sërish marrëdhënie me të dhe të tjerët.
Ky ishte momenti ku e mitura ka menduar vetëvrasjen, megjithëse ishte shumë sociale dhe e shkathët.
Djemtë kishin bërë plane që të fitonin para’ duke e prostituuar shoqen e shkollës te djem të tjerë kundrejt pagesës dhe me paratë e fituara 14-vjeçari do të blinte pajisje lojërash në internet.
Një sms në telefonin e të birit të punonjëses së pastrimit të shkollës ka zbuluar gjithçka.
Nëna e vajzës është njoftuar nga mësuesja kujdestare dhe në prani të psikologes dhe drejtoreshës së shkollës, si dhe drejtoreshës së arsimit Kavajë ka dëgjuar atë që ka ndodhur me të bijën gjatë një periudhe 3-mujore.
Denoncimi në polici i ka dhënë fund abuzimit, duke çuar në paraburgim 7 të mitur, mes tyre dhe i dashuri i vajzës, ndërsa në kërkim është i mituri që dyshohet se realizoi videon kërcënuese.
Siç thuhet ne dosjen e prokurorisë paraqitur në gjykatë, videoja intime e vajzës ishte në telefonin e shumë më tepër nxënësve të shkollës “Rilindja” në Kavajë. 7 nga 8 minorenët abuzues janë arrestuar dhe po mbahen në burg sepse Kodi Penal parashikon një dënim 25 vite burg për një krim të tillë./TCH