Politika Ngjarja e Kavajës/ Spiropali: Përdhunimi u përdor nga opozita. Policia reagoi në...

Ngjarja e Kavajës/ Spiropali: Përdhunimi u përdor nga opozita. Policia reagoi në kohë

Ngjarja e Kavajës është komentuar këtë të martë edhe nga zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, e cila sulmoi opozitën se e përdori këtë ngjarje politikisht.

“E ndiej të nevojshme që të flas për rastin e të miturës në Kavajë, është një rast tmerrësisht i rëndë, i cili ka nevojë për të gjithë vëmendjen e Prokurorisë për t’u hetuar deri në fund. Të gjitha instancat dhe fajtorët të vihen para ligjit. Ama që ndodh me përdorimin e këtij rasti në teatrin e ulët politik që kemi parë këto ditë, e nuk po u besoja syve kur lexova deklaratën e Partisë Demokratike, është vetëm një dëshmi e qartë e dëshpërimit opozitar, që nuk nguron të përdorë edhe raste të tilla për ushqimin politik të ditës”, tha Spiropali.

Më tej, ajo tha se policia kishte vepruar në kohë.

“Në rastin konkret, Policia e Shtetit në momentin që ka marrë denoncimin për rastin e minorenes së abuzuar, ka filluar menjëherë hetimin. Personat e përfshirë janë duke u hetuar nga Prokuroria, e jemi të sigurtë që ajo do të bëjë punën e saj, sikundër Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijëve e ka marrë vajzën nën kujdes psikosocial dhe shëndetësor”, tha Spiropali.

Sipas saj, raste të tilla fatkeqësisht ndodhin edhe në vende të tjera shumë të zhvilluara, bëhen edhe filma me raste të tilla të tmerrshme me ndjeshmëri sociale, “ama kurrë një parti politike në këto vende nuk del ta përdorë rastin për politikë dhe për të gjetur fajtorin, shkaqet e pasojat, te qeveria e një vendi”.