Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të së shtunës në Tiranë. Policia bën të ditur se një punonjës i burgut 313 është dhunuar dhe i është marrë arma e shërbimit menjëherë sapo ka dalë nga banesa e tij.
Efektivi A.L është goditur nga tre autorët në afërsi të banesës së tij në Yzberisht në rrugën “3 Dëshmorët”.
Autorët kanë qenë me një mjet tip fuoristradë ngjyrë të bardhë dhe Policia po punon për identifikimin e tyre.
Bëhet e ditur se autorët e kanë goditur efektivin me shkop bejsbolli në kokë.
Në momentin që efektivi ka nxjerrë armën e shërbimit, autorët ia kanë marrë, ndërkohë që të dëmtuarit i ka mbetur vetëm karikatori.
Në dëshminë paraprake, efektivi ka thënë që dyshon për shkak të detyrës.
Megjithatë për hetuesit po hetohet dhe pista tjetër e ndonjë konflikti me persona të tjerë që nuk ka lidhje me punën si efektiv burgjesh.
I riu punonte edhe në lokale nate, ku mund të ketë patur ndonjë konflikt me autorët që më pas e dhunuan.
Aktualisht 36-vjeçari ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
“Më datë 28.09.2024, rreth orës 05:00, në rrugën “Tre Dëshmorët”, Yzberisht, shtetasi A. L., 36 vjeç, banues në Yzberisht, (punonjës pranë burgut 313) sapo ka dalë nga banesa është goditur dyshohet me sende të forta nga tre persona ende të paidentifikuar, të cilët i kanë marrë armën e shërbimit dhe më pas janë larguar.
Aktualisht 36-vjeçari ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.