Një ngjarje tragjike ndodhi këtë të shtunë në fshatin Babunjë të Divjakës. Për shkaqe që ende nuk dihen, Hekuran Rrasa, 58 vjeç, vrau me armë zjarri gruan e tij Fëllënxë Rrasa, 45 vjeçe. Më pas 58-vjeçari i dha fund jetës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në shtëpinë e bashkëshortëve. Burime zyrtare të policisë thonë se krimin Hekuran Rrasa e kreu me armë gjahu, e cila u gjet në vendin e ngjarjes.
Rrethanat e këtij krimi të dyfishtë nuk dihen ende. Dyshimet e para janë që gjithçka ka ndodhur për motive të dobëta. Mësohet se ka qenë djali i viktimave, i cili i ka gjetur prindërit të pajetë në shtëpi.
“Në fshatin Babunjë, Divjakë, dyshohet se Hekuran Rrasa, 58 vjeç, ka vrarë me armë gjahu në banesë bashkëshorten e tij, Fëllënxë Rrasa, 45 vjeçe dhe më pas ka vrarë veten. Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e gjahut. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Policia në një njoftim paraprak për mediat.
Gazetarja: Dhuna në familjen Rrasa ishte e kahershme. Trupat u gjetën nga djali 20-vjeçar
Dhuna në familjen Rrasa duket se ishte prezente prej vitesh, por pak kush imagjinonte se këtë të shtunë, Hekuran Rrasa do të vriste me armë zjarri bashkëshorten e tij Fëllënxë Rrasa, 45 vjeçe, e më pas do të vetëvritej. Gazetarja e Tv Klan, Anila Sefa, nga fshati Babunjë i Divjakës ku ndodhi ngjarja e rëndë, solli më shumë detaje.
“Shpeshherë ata kanë qenë çift i njohur në komisariatin e Divjakës për shkak të dhunës. Prej kohësh ajo ka pas kërkuar dhe urdhër mbrojtje, por nuk e ka rinovuar më. Debati mes tyre ka qenë i kahershëm”, tregoi Sefa.
Gazetarja tha se 58-vjeçari, përveç sjelljes së dhunshme, dyshohet se kohët e fundit kishte shfaqur edhe probleme të shëndetit mendor. Sefa, duke cituar burime nga policia e Divjakës tha se kohë më parë, gruaja kishte kërkuar urdhër mbrojtje, megjithatë kohët e fundit nuk kishte pasur më denoncime në polici. Nga ana tjetër, edhe në rastet e mëparshme kur Fëllënxë Rrasa e kishte denoncuar të shoqin për dhunë, e kishte tërhequr denoncimin.
Çiftit jetonte me djalin e tyre 20-vjeçar. Ishte pikërisht ky i fundit i cili pasi dëgjoi të shtënat me armë vrapoi drejt shtëpisë. Ai gjeti të ëmën e pajetë brenda banesë dhe lajmëroi xhaxhain. Kur u rikthyen, ata zbuluan edhe trupin e Hekuran Rrasës.
“Dua ndihmë nga Zoti, unë jam mes të rrugës…”, reagimi mes lotësh i 20-vjeçarit që gjeti të vdekur prindërit në shtëpi
“Sillej shumë mirë. Unë kam qenë për kafe, më lajmëruan në telefon… Ju lutem unë dua ndihmë nga Zoti, unë jam mes të rrugës…” Mes lotësh dhe i tronditur, ky është reagimi i parë djalit të çiftit Rrasa, i cili këtë të shtunë gjeti të vdekur në shtëpi të dy prindërit e tij, nënën 45-vjeçare Fëllënxë Rrasa dhe të atin 58-vjeçar Hekuran Rrasa. Ky i fundit dyshohet se pasi vrau bashkëshorten i dha fund jetës me armë zjarri.