Ironik dhe me tone të ashpra ka qenë reagimi i avokatit Spartak Ngjela lidhur me përplasjen në distancë mes ambasadorit të SHBA-ve, Donald Lu dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Në një mesazh në rrjetin social Facebook Ngjela e ka cilësuar “katundar të rëndomtë” Llallën, pasi ky i fundit sipas tij përdor një vizë diplomatike që gruaja e tij të lindë fëmijën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera avokati shton se “prokuror mediokër” po turpëron vendin ndërkombëtarisht, pasi sipas tij e dinë ambasadorin amerikan person fizik.
MESAZHI I SPARTAK NGJELËS NË “FACEBOOK”
Këta krerë politikë që ushqejnë një prokuror mediokër në aventurë, po na turpërojnë ndërkombëtarisht se e dinë ambasadorin amerikan person fizik. U interesova, dhe mësova që heqjen e vizës së gruas së Prokurorit shqiptar dhe vetë Prokurorit ia ka kërkuar Ambasadës Amerikane në Tiranë Departamenti Homland Security (Ministria e Brendshme amerikane)- domethënë qeveria amerikane, sepse me atë vizë të pasaportës së saj diplomatike kishte lindur në një maternitet amerikan. Vetëm katundarë të rëndomtë veprojnë kështu. Kurse të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë, viza iu është hequr sepse dyshohen se mund të kërkojnë azil të paligjshëm në SHBA, për t’i shpëtuar vetingut. Turp për injorancën, por shqiptarët e shkretë çfarë faji kanë që të vuajnë nga injoranca Berisha-Meta, që, pasi kanë vjedhur, veprojnë si kaçakë në politikë.
Nuk shpëtojnë dot: Reforma në Drejtësi është domosdoshmëri e interesit amerikan dhe interesit shqiptar në Ballkan. Nuk ka tërheqje sepse është një perspektivë amerikane ligjore. Po kujt t’i thuash, Metës? një injoranti që thërret ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe denoncon tek ata ambasadorin amerikan, kur këta të habitur nga nonsenset fëminore të Metës, shkuan të gjithë te Donald Lu dhe i kërkuan domosdoshmërisht të interesohet për çthurjen mendore që konstatohet në rangjet e larta të shtetit shqiptar nga personat që rrezikohen me ndëshkim penal nga Reforma në Drejtësi. Gjithsesi shqiptarët janë në udhën e suksesit të shtetit të tyre ligjor. Reforma nuk ndalohet. Kurse këta qaramanë duhej ta kishin matur veten mirë para sesa të futnin duart në paratë e shqiptarëve. Tani është shumë vonë…