Orka ose balena vrasëse, e humbur për ditë të tëra në Senë, ngordhi nga uria, thonë ekspertët pas ekzaminimit të trupit të saj, duke dyshuar se kafsha kishte ndaluar së ngrëni sepse ndihej e vetmuar.
”Orka, e cila u gjet e vdekur në lumë më 30 maj, ngordhi pasi nuk hante më dhe kishte stomakun bosh”, njoftoi prefektura e Ruenit.
”Ndërsa nuk ishte e mundur të thuhej me siguri, izolimi mund të ketë qenë shkaku i refuzimit të kafshës për të ngrënë, një sjellje që ndonjëherë vërehet te gjitarët detarë që jetojnë dhe gjuajnë në grupe”, thanë ekspertët.
”Fakti që orka humbi në një lumë, larg habitatit të saj natyror në oqean, nuk luajti asnjë rol”, sipas ekspertëve.
Gjatë autopsisë, shkencëtarët gjetën edhe një plumb në zonën e indit të kokës.
Megjithatë, plumbi nuk i shkaktoi balenës lëndime të përhershme dhe as nuk kontribuoi në ngordhjen e saj.
Sipas ekspertëve, orka ishte një femër mbi katër metra e gjatë dhe peshonte 1 100 kilogramë.
Skeleti i saj do të ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Historisë Natyrore në Paris.