Politika Ngujimi i studentëve në universitete, Spiropali: Karikaturë e Berishës dhe e PD-LSI

Ngujimi i studentëve në universitete, Spiropali: Karikaturë e Berishës dhe e PD-LSI

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi se ngujimi i studentëve në universitete është një karikaturë e mbështetur nga PD dhe LSI.

Në një deklaratë për mediat, Spiropali e cilësoi gjithashtu ngujimin si një shfaqe ekstreme të një opozite pa vizion.

Ajo akuzoi opozitën se ka marrë peng protestën dhe fakultetet përmes një grupi të vogël pedagogësh që, sipas saj, kanë tituj të pamerituar.

“Ajo që ka mbetur nga protesta është një karikaturë e protestës me angazhimin e drejtpërdrejtë të PD, LSI dhe vetë Sali Berishës, i cili është i angazhuar së bashku me disa segmente të vogla të Universitetit dhe të ushqyera ndër vite me tituj të pa merituar  dhe punësim të paturpshëm aty ku kanë rrjetet nepotike militante dhe klanore. Kjo është një shfaqje ekstreme e një opozite që nuk ka asnjë ide dhe lidership. Për fat të mirë pjesa më e madhe e fakulteteve janë çliruar nga këto grupe”.

Më tej, Spiropali tha se qeveria nuk mund të ndërhyjë me forcë për të zhbllokuar mjediset universitare, teksa nga krahu tjetër i bëri thirrje rektorit t’u përgjigjet studentëve dhe të marrë përgjegjësitë.

“Universiteti është autonom dhe garantimi i procesit të mësimit është e drejtë dhe detyrë e Universitetit. Ligji nuk i jep mundësi qeverisë të ndërhyjë me forcë për të zhbllokuar mjediset universitare, por nga ana tjetër, ligji ngarkon titullarin, pra rektorin që të garantojë procesin mësimor dhe të kërkojë ndërhyrjen e policisë. Me përjashtim të një rasti kur qeverisë i është kërkuar ndërhyrja nga administratori, në një rast ekstrem, ne nuk kemi ndërhyrë në asnjë rast në administrimin e universitetit. Qeverisë nuk i është kërkuar asnjë herë ndihma për të zhbllokuar mjediset universitare”, tha Spiropali.

Spiropali tha se qeveria i shpreh të gjithë solidaritetin prindërve dhe studentëve që duan mësim.

“I bëjmë thirrje rektorit për t’iu përgjigjur studentëve, ose nëse ka zgjidhje tjetër le ta bëjë publike. Arsyeja pse dal sot është shqetësimi për pengmarrjen e Fakultetit të Drejtësisë dhe ndonjë fakulteti tjetër dhe për të theksuar se autonomia universitare që jep ligji parashikon jo vetëm liri, por edhe përgjegjësi dhe detyra që ata duhet t’i ushtrojnë deri në fund”.