Kryeministri Edi Rama ishte i prerë me socialistët kur tha se në 4 vitet e ardhshme, skuadra drejtuese e vendit duhet të përgatitet për operacione të vështira dhe vendime jo të lehta. Ai tha se të gjithë duhet të jenë të angazhuar për të luftuar nepotizmin e klientelizmin.
“Kjo që është sot këtu është skuadra drejtuese e PS, e vendit, në 4 vitet e ardhshme, kjo është skuadra që duhet t’u japë drejtim shumë punëve, që duhet t’i përgjigjet çdo qytetari në nevojë, dhe si e tillë kjo skuadër nuk mund të jetë në lartësinë e një sfide të re. Nëse nuk lufton përditë me sjelljet e vjetra brenda vetes së vet. Duhet të përgatitemi të gjithë për operacione të reja dhe të vështira dhe për vendime jo të lehta, për punë aspak të lehta. Duhet të jenë të gjithë të gatshëm për të hequr dorë nga lojëra të vjetra dhe të dëmshme individuale, në dëm të qëllimeve, në dëm të punës, në dëm të imazhit të PS. Duhet të jenë të gjithë të angazhuar që jo vetëm ta luftojmë, por secili ta luftojë nepotizmin dhe klientelizmin. Duhet të gjithë ta ngulim mirë në kokë, që ndërhyrjet për të mbajtur në punë individë të paaftë, apo deri dhe makutër që e mbajnë dorën në xhepin e qytetarëve, ndërhyrjet për të sistemuar në vende të caktuar pune, njerëz që nuk e meritojnë të punojnë në shtetin shqiptar, për të përfaqësuar PS, apo ndërhyrje për të ndikuar në procese tenderash, dhe vendimmarrjesh me natyrë materiale janë armiqësore me qëllimet e të gjithë atyre që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm për të drejtuar vendin.
Janë të papajtueshme me rritje e domosdoshme morale të kësaj force të madhe të shqiptarëve, janë të neveritshme në raport me nderin e jashtëzakonshëm, të përfaqësimit të një populli të tërë, në rrugën drejt së ardhmes, në nivelin më të lartë të përfaqësimit, që ka një popull, Kuvendi. Janë tradhtia më e madhe ndaj të gjithë fëmijëve të këtij vendi”.
Më tej Rama kërkoi nga socialistët që të mos presin vetëm nga SPAK, por të jenë hulumtues faktesh e provash për të nxjerr në pah gjërat që nuk shkojnë.
“Ne nuk duhet dhe nuk do të presim që SPAK të merret me çdo vatër, me çdo individ të korruptuar në sistemin e institucioneve të pushtetit qendror apo vendor. Do të jemi kërkues, do të jemi hulumtues, do të jemi grumbullues faktesh dhe provash proaktive, duke i veshur një armaturë edhe me ligj të veçantë, një ligj më vete platformës së Bashkëqeverisjes dhe të ndërveprimit dixhital brenda sistemit të institucioneve, agjencive dhe drejtorive të ekzekutivit, ne mund të nxjerrim në pah dhe në kohë reale të gjitha pikat ku ngecin, bllokohen”.