Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u shpall fajtor për financimin të paligjshëm të fushatës zgjedhore të vitit 2012 (atë që ai humbi në garë me François Hollande) dhe u dënua me një vit burg pa kusht, dënimi maksimal.
Gjykata e Parisit deklaroi se “dënimi do të kryhet nën regjimin e mbikëqyrjes elektronike“. Ish-presidenti nuk do të shkojë në burg, por do t’i nënshtrohet matjes së byzylykut elektronik, gjithnjë nëse dënimi me kusht konfirmohet në Apel, tashmë i paraqitur nga avokatët mbrojtës.
Bëhet fjalë për çështjen “Bygmalion”, një sistem i faturimit të dyfishtë që synonte të fshihte tejkalimin e shpenzimeve elektorale.
Nicolas Sarkozy nuk ishte përgjegjës për faturimin, me të cilin ai nuk merrej, por “ai e dinte sasinë e tavanit që nuk duhej tejkaluar, – tha kryetarja e gjykatës, Caroline Viguier. – Por ai vazhdoi me organizimin e tubimeve, lejoi iniciativa të reja dhe nuk lejoi vullnetarisht, si kandidat, të ushtronte kontroll mbi shpenzimet”.
“Bygmalion” është emri i kompanisë që organizon aktivitete, të cilave Partia UMP e Sarkozy, atëherë president në detyrë, i ishte drejtuar. Tavani për fushatën e kandidatit që arriti në raundin e dytë, u përcaktua në 22 milionë euro, por Sarkozy e tejkaloi atë.
Ish-kreu i shtetit francez, nuk ishte i pranishëm në leximin e dënimit dhe gjatë gjykimit, i cili u zhvillua pranverën e kaluar për rreth një muaj. Ai mori pjesë në seanca vetëm një herë.
Përveç ish-presidentit, 13 persona të tjerë dolën në gjyq, përfshirë anëtarët e partisë së tij konservatore, kontabilistë dhe krerët e grupit të komunikimit të ngarkuar me organizimin e tubimeve.
Disa kanë pranuar akuzat dhe kanë dhënë detaje.
Ky është gjykimi i dytë brenda vitit për njeriun që sundoi Francën nga viti 2007 deri në vitin 2012 dhe vazhdon të ketë ndikim mes konservatorëve pavarësisht problemet ligjore.
Ish-presidenti u shpall fajtor në muajin mars pasi tentoi të korruptonte një gjykatës që të merrte informacion konfidencial në një hetim gjyqësor.
Ai u dënua me tre vjet burg, dy vite prej të cilave u pezulluan ndërsa apeli i tij është në pritje, duke u bërë kështu presidenti i parë në historinë moderne franceze që dënohej me burg.
Sarkozy apeloi për atë dënim, por edhe për këtë të fundit. Prandaj, procesi nuk ka përfunduar dhe do të rifillojë pas disa muajsh.
Ish-lideri francez po hetohet gjithashtu për akuzat se ai ka marrë para nga ish-lideri Muamar Gaddafi për të financuar fushatën e tij të suksesshme presidenciale në 2007 dhe për ndikim në rastet në lidhje me aktivitetet e tij këshilluese në Rusi.
Sarkozy u tërhoq nga politika në vitin 2017, por ende po luan një rol në prapaskenë.