Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar në terren mbi 400 efektivë të Forcave të Armatosura për të përballuar emergjencat civile për shkak të motit të keq. Në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se angazhimi i ushtrisë në terren gjatë këtyre ditëve ka qenë i domosdoshëm pasi pushteti vendor nuk ka marrë masat e duhura.
“Tani pse duhet të hyjë gjithmonë që ushtria të hapë rrugët? Le ta themi hapur. Në rast se bashkitë tregohen pak më të zgjuara në mirëmbajtjen e rrugëve. Në rast se nuk pritet sa të bllokohet rruga nga bora edhe pastaj të thërrasim ushtrinë me buldozerë të pastrojë dëborën por i paraprin me kripë dhe më gjithë ato materialet që hidhen në vende fqinje. Edhe Maqedonia edhe Kosova duhet ta pranojmë janë më mirë se ne mbajtjen hapur të rrugëve ndërsa këtu tek ne presim që të bllokohet rruga që të japim alarmin. Kjo është arsye pse del ushtria në hapjen e rrugës se Thethit. E kemi pak çështje kulture dhe mentaliteti që i lëmë gjërat për ditën e fundit. Kemi shumë punë për të bërë për ta ndryshuar këtë sjellje, për të planifikuar. Planifikimi është një nga dobësitë tona në institucione në familje dhe në shoqëri.” –theksoi Peleshi në Përballë.