Policia ka dhënë detajet zyrtare lidhur me videon që prej disa ditësh qarkullon në rrjetet sociale, ku Ramazan Rraja shihet duke dhunuar një grua pranë QSUT-së dhe kjo në sy të një oficereje.
Policia zbulon se ngjarja ka ndodhur më 31 korrik, në orët e para të mëngjesit.
Ndërkohë që efektivja është pezulluar nga detyra, nipi i deputetit socialist, Rrahman Rrajës ka shpëtuar me vetëm një procedim.
“Lidhur me videon e publikuar në mediat sociale, ku një i ri shfaqet me pamje duke dhunuar një femër në oborrin e spitalit “Nënë Tereza”, Tiranë, në interes të opinionit publik informojmë se: Ngjarja në fjalë ka ndodhur në datë 31.07.2019, rreth orës 07:30 minuta. Shërbimet policore kanë shoqëruar në Komisariat shtetasin R.Rr. 26 vjeç dhe e kanë proceduar penalisht. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme. Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, pas pezullimit nga detyra të punonjëses së Policisë që ishte pranë vendit të ngjarjes, ka nisur verifikimet për veprimet apo mos veprimet e saj.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kujtojmë se djali i deputetit Rrahman Rraja, Rexhepi, u përfshi rreth 10 muaj më parë në një skandal me ish të dashurën e tij, Xhisiela Maloku. Kjo e fundit e akuzoi për dhunë, por më pas e tërhoqi denoncimin në Polici.