Ekonomia e dytë e Europës do të hapë një faqe të re. Mbyllja e epokës Merkel duket se do t’ia lërë vendin një ekonomie më të gjelbër dhe më dixhitale, një plan për të cilin krahas qeverisë do të angazhohen edhe titanët e korporatave si Volkswagen dhe Siemens.
Angazhimi në këtë nismë të përbashkët i dy kompanive të mëdha do të thotë që në rast dështimi, të përballen me rënie. Ekonomia e Gjermanisë varet nga eksportet më shumë se çdo ekonomi tjetër e Europës. Eksportet e mallrave gjermane përbëjnë më shumë se një të tretën e PBB-së së saj, sa dyfishi i përqindjes së Francës ose Britanisë së Madhe. Ndërkohë, prodhimi gjerman kontribuon me 18% në prodhimin ekonomik, dy herë më shumë se dy vendet e tjera të mëdha evropiane të industrializuara. Varësia nga industria e rëndë që përdor karburantet fosile shpjegon pjesërisht pse emetimet e karbonit për frymë në Gjermani ishin 87% mbi shifrën e krahasueshme për Francën dhe 59% mbi Britaninë në 2018.
Nisma e re e Scholtz do të kërkojë investime të mëdha publike dhe private. Fatura e shpenzimeve kapitale të VW do të kalojë 20 miliardë euro në 2022 sipas vlerësimit mesatar të Refinitiv krahasuar me një mesatare vjetore prej 13 miliardë eurosh midis 2018 dhe 2020. Ndërtimi i një fabrike lokale për të prodhuar bateri makinash mund të kushtojë po aq, çka bën që kompanisë t’i duhet patjetër ndihma e qeverisë. Kjo do të jetë një tjetër sfidë për kancelarin Scholz, i cili do të duhet të gjejë një mënyrë për të shkuar përtej kufizimeve të buxhetit.
Tronditje pritet të pësojë edhe infrastruktura dixhitale e Gjermanisë. Më pak se një në dhjetë familje është e lidhur me internet me bandë të gjerë. Në këtë pikë do të ndihmojë Deutsche Telekom, i subvencionuar nga shteti.
Gjithashtu, Gjermanisë do t’i duhet të tërheqë punëtorë me njohuri teknologjike nga jashtë ndërsa vetë përballet me plakjen e popullsisë. Scholz mund të vendosë lehtësimin e rregulloreve për lejet e punës, ndërsa kompanitë e mëdha si Siemens bëjnë pjesën e tyre duke ritrajnuar punonjësit ekzistues.
Kriza globale e zinxhirit të furnizimit po rrit çmimet e prodhimit. Ndërkohë, plani i Scholz për të rritur pagën minimale në 12 euro në orë dhe mungesa e fuqisë punëtore do të rrisë kostot e punës. E gjithë kjo do të gërryejë marzhin e fitimit të korporatave. Një sakrificë që ato duket se kanë pranuar ta bëjnë në këmbim të përfitimeve afatgjata.
Scholz ka premtuar t’i bëjë vitet 2020 një “dekadë investimi në të ardhmen” me fokus në mbrojtjen e klimës, dixhitalizimin, arsimin, kërkimin dhe infrastrukturën sipas marrëveshjes së koalicionit trepalësh.