Pas tensionit të javës së kaluar, kur deputetët e PD-së bllokuan për orë të tëra foltoren e kuvendit, edhe seanca e kësaj të enjteje ka nisur me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i kujtoi kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, seancën e javës së kaluar dhe i bëri thirrje “të mos i vërë kazmën Parlamentit”.
“Ti nuk mund ta ndryshosh rregulloren me votë. Mësoje këtë, nuk e ke këtë pushtet, s’ta ka dhënë njeri këtë. As nuk mund ta marrësh, nuk mund ta uzurposh, zbatoje rregulloren, mos i vër kazmën punimeve të parlamentit si javën e kaluar. Ndoshta e ke porosi si javën e kaluar, se s’doni të përballeni por po të them edhe një herë mos i vër kazmën parlamentit, zbato rregulloren. Rregullorja ka disa parashikime se si veprohet për futjen e ligjeve në parlament.”
Basha tha se mazhoranca po përpiqej të shmangte vëmendjen nga çështjet e rëndësishme me anë të trukeve për të shtyrë debatet.
“Marr mundimin të ta them këtë për dy arsye, e para sepse nuk dua që seanca e sotme të degjenerojë si seanca e kaluar, për shkak të ndërhyrjes tënde. Dhe e dyta për t’i vënë fre një përpjekjeje sistematike për të devijuar çështje të rëndësishme të aktualitetit me anë të këtyre trukeve.