Nis puna për ndërtimin e Unazës Veriore të Tiranës, pjesë e projektit të Unazës së Madhe të kryeqytetit. Punimet kanë nisur fillimisht në lotin 2 për të vijuar më pas edhe në lotet e tjera të pjesës veriore, të cilat në total përbëjnë 40% të projektit të Unazës së Madhe.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi inspektuan nga afër punimet e para që po bëhen për këtë vepër të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin.
Drejtori i ARRSH bëri të ditur detaje lidhur me këtë projekt, duke theksuar se ndërtimi i tij do të lehtësojë qarkullimin në Tiranë, ul nivelin e ndotjes dhe rrit cilësinë e jetesës.
“Loti 2 është një nga lotet më të gjata të Unazës Veriore. Kemi të bëjmë me 2,17 kilometra. Përbëhet nga një gjerësi shumë e madhe, kemi 2 karrexhata me nga katër korsi, ku dy korsi nga një krah shërbejnë për kalimin dhe një krosi shërben për emergjencën. Jemi munduar të rregullojmë dhe rrugët dytësore. Ndryshe nga herët e tjera, projekti prek edhe rrugët dytësore të përfshira, të cilat do të ndërtohen. Kemi përfshirë edhe elementët e gjelbërimit e ndriçimit, duke qenë se jemi në një zonë të banuar. Kemi marrë masat që rruga të jetë sa më komode për të kaluar, por gjithashtu dhe vizualisht ti shërbejë sa më shumë komunitetit”, u shpreh Berberi.
Pjesë e projektit janë disa vepra arti të parashikuara për t’u ndërtuar, një viadukt 126 metra, një mbikalim për ndarjen e trafikut, si dhe një mbikalim tjetër për këmbësorët.
Ministrja Belinda Balluku theksoi se projekti i jep zgjidhje kërkesave të paraqitura nga Bashkia e Tiranës që lidhen me përfshirjen e elementëve urbanë, por njëkohësisht i përgjigjet edhe zhvillimeve dhe rritjes së kapaciteteve në vitet e ardhshme.
“Kemi përfunduar pjesën më të madhe të punimeve në Unazës Lindore dhe tashmë me Unazës Veriore mbyllim 40% të volumeve të mbetura të Unazës së Madhe të Tiranës, duke krijuar kështu edhe mundësinë e aksesit të krahut Verilindor, pra të Rrugës së Arbrit, për t’u futur në kryeqytet. Siç e kemi thënë edhe më parë një nga kompleksitetet që kemi në 7 lotet e Unazës Veriore padyshim është pjesa e shpronësimeve dhe e lëvizjes së shtëpive, që fatkeqësisht shumica e tyre janë shtëpi të ndërtuara në mënyrë jo të ligjshme dhe të palegalizuara, por si në të gjitha rastet e tjera, ashtu edhe në këtë rast, ne do të marrim të gjitha masat e duhura për të akomoduar edhe ato familje, të cilat kanë banesa të palegalizuara”, deklaroi Balluku.
Kompletimi i Unazës së Madhe do të lehtëson ndjeshëm hyrjen në kryeqytet pasi bën të mundur lidhjen e të gjitha akseve kryesore rrugore.
“Nëse ky projekt do të dorëzohet brenda 1 viti, realisht Tirana do të marrë frymë lehtësisht dhe çfarë është më e rëndësishme për tu thënë është që të gjitha akset kombëtare, siç është rruga e Arbrit, siç është autostrada e Elbasanit, autostrada që vjen nga Durrësi, autostrada e veriut, të gjitha këto do të lidhen në këtë unazë të përfunduar tashmë, duke i dhënë frymëmarrje qytetit, sepse nuk do të kemi më ato 3-4 pika nga të cilat futen, por do të kemi një unazë të madhe në të cilën do të qarkullojë i gjitha volumi i trafikut që vjen nga këto akse kombëtare, për tu shpërndarë pra në ato pika që secili drejtues automjeti ka nevojë që të shkojë”, deklaroi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Unaza Veriore e Tiranës ka një gjatësi prej afro 8.5 kilometrash dhe është e ndarë në shtatë lote. Ky segment bën të mundur lidhjen me Rrugën e Arbrit duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve për mjetet që vijnë apo udhëtojnë drejt qarkut të Dibrës.