Sot nisin punimet për ndërtimin e teatrit të ri. Vendimi ka sjellë reagim nga Aleanca për mbrojtjen e Teatrit, të cilët kundërshtuan shembjen dhe procedurat për ndërtimin e godinës së re.
Për të shmangur përplasjet i gjithë perimetri është rrethuar me punonjës policie. Gjithashtu është bllokuar pedonalja për ë penguar kalimin e këmbësorëve.
Në ceremoninë e përurimit të punimeve është i pranishëm kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe arkitekti danez Bjarke Ingels.
Përveç anëtarëve të Aleancës për Teatrin të pranishëm janë edhe anëtarë të Partisë Demokratike dhe kandidati i opozitës për kryetar bashkie në Tiranë, Belind Këlliçi. Pak ditë pas shembjes së godinës, Aleanca ka bërë disa kallëzime, plot 18 herë në SPAK, për hetimin e asaj që e quan “aferë korruptive”.
Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Veliaj është shprehur se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet teksa ka shtuar se nuk do të lëshohet asnjë centimetër nga teatri.
Erion Veliaj: Sot jemi më në fund gati dhe meritojnë një duartrokitje të gjithë ata që na sollën deri këtu. Për mua është një dilemë e madhe si mund të ketë forca politike kundër Teatrit. Sot më shumë se kurrë nga duhet të kapim kohën e humbur. Është më e vështirë të bësh një teatër në Shqipëri sesa një stacion në Hënë.
Kur e nisëm këtë debat, ishim me opinione të ndryshme. Teatri do të jetë në tokën e vet pa i lëshuar as një centimetër, teatri do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet. Me para publike, tokë publike teatër, 9 herë më të fortë dhe më të bukurin.
Besimi, bashkëpunimi, puna është ajo që na çon përpara. Nuk ka asgjë të re nën diell, sot jemi në një situatë ku kemi konsensusin më të madh të artistëve, të arkitektëve.
Dua të falenderoj 2 ministret tona të mrekullueshme, Mirela Kumbaro dhe sot Elva Margariti, të gjithë komunitetin e arkitektëve të Tiranës. Të gjithë japin mend sot, të bësh arkitektin është më e vështirë se të bësh politikanin. Në finale falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranës që duan që qyteti të ecë.
Ministrja e Kulturës: Do të jetë pikë referimi në Tiranë
Sot në nisjen e punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, ministrja e Kulturës Elva Margariti thotë se do të jetë një pikë referimi në Tiranë.
Në fjalën e saj në këtë aktivitet, Margariti theksoi se Teatri i ri Kombëtar do t’u rikthejë dinjitetin artistëve.
“Sot Tiranës i shtohet një pikë referimi, një hallkë e një zinxhiri të madh investimesh. Ajo çfarë ka ndodhur në Tiranë në këto vitet e fundit, një transformim radikal, Teatri Kombëtar është hallka e një dinjiteti të munguar të artistëve, banorëve të Tiranës, komuniteti artistik”.
Ministrja Margariti përmendi gjithashtu edhe buxhetin e investimeve që ka sot Ministria e Kulturës.
“Siç ndodh me ndërmarrje të guximshme, patjetër ka debate. Ata lloj matrapazësh politikë që po të kthehemi mbrapa mund t’ju tregoj që Ministria e Kulturës në 2013 ka patur në buxhet investime afro 1 milion Dollarë. Vetëm këtë vit ka 20. Kjo është politika që po bën qeveria Rama, vizioni i kësaj qeverie që nuk e shikon kulturën si një stoli, por si kryefjalë të një zhvillimi”.