Ka nisur punën, këtë të hënë, komisioni parlamentar, i cili do të hetojë check-up dhe sterilizimin. Kryetarja e këtij komisioni, Albana Voshki, tregoi se për çfarë është mbledhur ky komision dhe çfarë do të shqyrtojë.
“Shqiptarët paguajnë mbi 60% të shërbimit shëndetësor nga xhepi dhe është niveli më i lartë në rajon. Sot shqiptarët nuk po arrijnë dot të marrin shërbimin në publik për shkak të katër koncesioneve që janë dhënë në sektorin e shëndetësisë. Koncesionet që ne do të hetojmë arrijnë vlerën mbi 200 milionë euro.
Në dijeninë time, në informacionin që vjen nga mjekët, check-up është dëshmuar se ka qenë koncesion, jo vetëm i panevojshëm, por edhe abuzuese. Nuk është vetëm shpërdorim detyre, por korrupsion në të gjitha institucionet. Unë uroj që të mos bëheni mburojë e këtij korrupsioni dhe të përdorni kartonët tuaj kundër interesit publik”, tha Vokshi.
Më pas, ndërhyri deputeti i PS-së, Plarent Ndreca, i cili kërkoi prezantimin e rendit të ditës, duke krijuar një debat me Vokshin.
Vokshi: Ky komision nuk është kërkuar për interesin e deputetëve të opozitës, por ky komision shihet si një mjet për të nxjerrë në pah situatën ku ndodhet sektori i shëndetësisë.
Situata nga denoncimet që na vijnë është e rënduar, me mungesa në barna, kura, pa mundësi për të bërë analiza apo ndërhyrje. Shqiptarët nuk marrin shërbim falas, nuk marrin shërbimin publik.
Koncesionet që ne do shqyrtojmë në këtë koncesion arrijnë vlerën 200 mln euro, për sterilizimin dhe check up.
Ndreca: Konsultohemi pastaj parashtroni kërkesën. Mos mbani konference, të ikim ne dhe vazhdo konferencën.
Vokshi: Nëse doni ta nisin kështu mbledhjen…Të lutem se nuk ua kam dhënë fjalën. Po shpjegoj për publikun çfarë është ky komision. Qetësohuni!
Ndreca: Nuk shqetësohem fare.
Vokshi: Mos më ndërhy! Unë po informoj publikun, pastaj do kaloj te rendi i ditës.
Vokshi: Vlera e dy koncesioneve kalon 200 milionë euro. Si nga check up dhe sterilizimi nga gjithë qytetarët, ekspertët është dëshmuar se kanë qenë të panevojshme dhe abuzuese. Është korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë. Uroj të mos bëheni mburojë e këtij korrupsioni dhe të përdorini kartonët tuaj kundër interesit publik.
Ndreca: Referuar deklaratave del e qartë që ju keni paragjykuar veprimtarinë, nëse ju vijoni më tutje të konkludoni pa filluar puna e komisionit, keni fyer parim kushtetues mosparagjykimin e një çështjeje që është arsyeja përse ne jemi ngritur për të hetuar. Nëse vijojmë me deklarata partiake ndërkohë që ne jemi këtu për të kryer një proces të rregull ligjor, e kemi nisur me këmbë jo të ndarë. Ju lutem respektoni parimet kushtetuese!