Aktualitet Nis punën njësia e re e Policisë Detare. Rama: Pata premtuar të...

Nis punën njësia e re e Policisë Detare. Rama: Pata premtuar të merrte emrin e Jonadës 7-vjeçare, por…

Njësia më e re në Policinë e Shtetit, ajo Detare, e përbërë nga 104 efektivë dhe 35 “jet ski”, nis punën në të gjithë vijën bregdetare.

Kjo njësi do të funksionojë gjatë sezonit veror për të garantuar sigurinë e plazheve dhe respektimin e rregullave, kryesisht nga mjetet motorike ujore.

Plani për krijimin e kësaj strukture të dedikuar sigurisë në plazhe nisi pas ngjarjes tragjike të verës së 2022, ku mbeti e vrarë 7-vjeçarja Jonada Avdia në Himarë pasi u godit nga një mjet lundrues që drejtohej nga oficeri i policisë Arjan Tase.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e nisjes së punës së kësaj njësie, theksoi se akti kriminal i atij individi që turpëroi gjithë Policinë e Shtetit, i uli kokën shtetit dhe na bëri të gjithëve të skuqemi si asnjëherë tjetër, duhet tu shërbejë të gjithë punonjësve të policisë si një kambanë alarmi.

“Unë e pata premtuar se kjo njësi të mbante emrin e vogëlushes. Në mirëkuptim të plotë me familjen e saj ramë dakord që kjo gjë të mos bëhet. Por nga ana tjetër ai kujtim duhet të jetë motivi i punës, i mundit dhe motivi i suksesit të kësaj njësie, që ajo humbje e tmerrshme e familjes dhe gjithë popullit shqiptar të shërbejë që fëmijët, prindërit, familjet, vizitorët, turistët të ndjehen të sigurt, të qetë e të lumtur në ato ditë që mezi i presin për të pushuar”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi sezon turistik të qetë dhe bëri një paralajmërim për punonjësit e policisë.

Kryeministri theksoi se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm që për çdo rast të tillë, masa ndaj drejtuesit të policisë së qarkut, ndaj shefit të komisariatit dhe ndaj atyre që mbulojnë zonën të jetë drastike, të jetë e menjëhershme dhe të jetë largim pa kthim nga Policia e Shtetit.

“Nëse duam që ky vend të bëhet kampion i Ballkanit në turizëm në vitin 2030, në radhë të parë kjo do të thotë që ky vend të garantojë për çdo turist, për çdo vizitor, për çdo pushues shqiptar apo të huaj, një qetësi, një rregull, një pastërti, një lehtësi të paharrueshme, që të huajt që vijnë këtu dhe që janë gjithmonë e më shumë të shumtë në numër, të largohen me kujtimin se në Shqipëri gjetën atë që nuk e prisnin. Respekt, siguri dhe mirësjellje absolute, në radhë të parë nga punonjësit e Policisë së Shtetit, nga punonjësit e Policisë Rrugore, nga punonjësit në territoret turistike dhe natyrisht edhe tani nga punonjësit e njësisë së re të kontrollit dhe të garantimit të sigurisë dhe të qetësisë në ujërat e brigjeve shqiptare”, tha Rama.

Sipas tij, “ky është mision, kjo nuk është thjeshtë një detyrë”.

“Ky është një mision për popullin shqiptar, për kombin shqiptar, për shtetin shqiptar dhe çdokush që shkel një fije sensin e këtij misioni, çdokush që sillet padenjësisht me ata që vijnë në shtëpinë tonë apo që lëvizin nga shtëpia e tyre këtu, për të shkuar e për të pushuar, do të marrin ndëshkimin më maksimal sepse duhet të konsiderohet në pozicion armiqësor me këtë mision kombëtar, i padenjë për të qenë pjesë e kësaj force”, tha ai.

Për ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, dimensioni i ri i turizmit në vendin tonë, e bëri të domosdoshme ngritjen e kësaj njësie.