Me hapjen e vendvotimeve në mbarë vendin në orën 07.00 ka nisur sot raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Kroaci.
Në garën presidenciale marrin pjesë presidentja aktuale Kolinda Grabar-Kitaroviç, si kandidate e Bashkësisë Demokratike Kroate (HDZ) dhe ish kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç nga radhët e Partisë Social Demokrate (SDP), pasi këto kandidatë fituan numrin më të madh të votave në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 22 dhjetor 2019.
Nga Ministria e Administratës Publike më herët është konfirmuar se në listën e votuesve për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale janë regjistruar gjithsej 3.860.095 votues, prej të cilëve 3.681.175 banojnë në Kroaci ndërsa 178.920 jashtë vendit.
Votuesit në Kroaci deri në orën 19.00 do të mund të votojnë në 6.409 vendvotime, ndërsa shtetasit kroatë jashtë vendit, përkatësisht në 47 shtete, do të votojnë në 124 vendvotime, 1/3 e të cilëve ndodhen në Bosnje dhe Hercegovinë.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Kroacisë, të cilat u publikuan më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Zoran Milanoviç fitoi rreth 29,55 për qind të votave (562.783 vota) në raundin e parë, ndërsa Kolinda Grabar-Kitaroviç fitoi 26.65% të votave (507.628). Ata u pasuan nga kandidati i pavarur Miroslav Shkoro, i cili fitoi 24,45% të votave (465,628 vota)