Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, kanë inspektuar sot nisjen e punimeve për rindërtimin e 3400 shtëpive individuale në zonën e Thumanës.
Kjo zonë u godit rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar dhe shumë familje mbetën në qiell të hapur. Shefi i qeverisë theksoi se nuk mund të ndërtohen të gjitha shtëpitë, por priritet do të kenë shtëpitë individuale.
“Thumanë: Rinisim rindërtimin. Të gjithë ata që janë në çadra a në shtëpi me qera, do t’i kthejmë në shtëpia të reja, më të mira, më të forta e më të bukura dhe pasi të fitojmë luftën që na ka zënë derën, do të përmbushim këtë kryedetyrë njerëzore të këtij viti të jashtëzakonshëm, duke zbatuar me çdo kusht porosinë e Zotit të Madh të Shqiptarëve, për t’u kujdesur deri në fund për ata që tërmeti i goditi më fort”, shkruan Rama në “Facebook”, ndërsa publikon edhe momente nga inspektimi i fillimit të procesit të rindërtimit.
Sipas kryeministrit, puna për ndërtimin e tyre do të vijojë me shumë turne deri në përmbushjen e objektivit final, që është strehimi i familjeve në nevojë.
“Duhet të bëjmë çmos që ta çojmë drejt vitit të ri me sukses. Tani s’i bëjmë të gjitha, besoj që shumicën e atyre që kanë shtëpi individuale do bëjmë çmos ta çojmë me sukses deri në vitin e ri. Do bëjmë çmos dhe do punojmë ditë-natë, me 3 apo 4 turne”, tha Rama.
Tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019 shkaktoi pasoja të rëndë për Shqipërinë. Zonat më të goditura ishin Durrësi dhe Thumana, ndërsa fatkeqësisht nga kjo dukuri natyrore humbën jetën 51 qytetarë poshtë rrënojave.