Ka nisur në Tiranë Samiti i Brdo Brijunit, me pjesëmarrës të liderëve të Ballkanit.
Me ftesën edhe të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović dhe të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në Samitin e Tiranës, do të marrin pjesë tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović dhe Željko Komšić, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić.
Ajo që bie në sy është pjesëmarrja e Miloard Dodik, i cili është kundërshtar i madh i pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe mohon krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës së viteve ’90.
Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.
Samiti i Liderëve në Tiranë, që përkon dhe me “Ditën e Evropës”, synon të përçojë një mesazh të rëndësishëm politik lidhur me aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.
Kjo nismë ka shërbyer si forum i rëndësishëm i nivelit më të lartë politik për nxitjen e dialogut, bashkëpunimit, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit, dhe mbështetjen e proceseve europiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit. Një tregues domethënës e jetik për vende tona ka qenë mbështetja e vazhdueshme që drejtues të lartë evropianë dhe amerikanë i kanë dhënë këtij Procesi.
Në mbyllje të Samitit, liderët e procesit do të miratojnë një dokument me konkluzionet e takimit.