Ka nisur sot procesi i vaksinimit të mësuesve. Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në shkollën “4 dëshmorët” në kryeqytet ku tha se nga e hëna do të vijojë vaksinimi i mësuesve në të gjithë Shqipërinë.
“Kemi nisur vaksinimin e mësuesve do të shtrihet ditën e hënë në të gjithë Shqipërisë, sipas njësive administrative dhe me shkolla që do të shërbejnë si njësi vaksinimi. Ka orare dhe do të vijnë të bëjnë vaksina. Është një hap i madh para dhe në ditët në vijim do të kemi një lajm shumë të mirë për të ardhur më shumë vaksina. Do të arrijmë që të kryejmë vaksinim intensiv, do të vaksinojmë pensionistët”.
Sa i takon vaksinës Astrazeneca, e cila është pezulluar në disa vende të Europës, Rama tha se Suedia nuk do të sillte vaksina të pasigurta.
“Vaksina AstraZeneca është pezulluar është e vërtetë, por ju jeni në detyrimin e madh profesional dhe njerëzor që të mos bëheni përçues të të pavërtetave dhe lajmeve të pa konfirmuara. Është e pamundur teorikisht se nëse do kishte të vërtetë shqetësuese të lejonte bota, lëvrimin e sasive. Sasia që morëm dje erdhi nga Suedia. Dhe nuk do të lejonte të vinin nëse do kishte diçka. Drejtori i Institutit Publik në Shëndetësor në Itali, tha se ka një seri të veçantë që është pezulluar për të bërë verifikimin. Në Britani po vaksinohen me këtë vaksinë dhe nuk ka shanse të jetë një injeksion që të shkaktojë situata dramatike për shëndetin. Lidhen me të kuptuarit. Nuk ka asnjë problem dhe është një vaksinë që qarkullon. Suedia nuk do ta lejonte të vinte nëse do kishte probleme. Ka shumë luftë tregtare mos e harroni. S’ka asnjë shqetësim. AstraZeneca ndryshe nga Pfizer ka afat për dozën e dytë më të madhe. Dhe do të realizojmë atë që kemi synuar”.
Po ashtu pati një përgjigje për të rinjtë e PD që protestuan kur ai shkoi në ambientet e shkollës “4 Dëshmorët, duke thënë se nuk ka ende vaksinë për tërbimin.
“Vaksinën për tërbimin nuk e kemi për fat të keq dhe do na duhet të jetojmë me këtë tërbim. Ajo që ka rëndësi duhet të mundim kundërshtarin e padukshëm, por rëndësi ka që do mundim”, u shpreh Rama.