Ka nisur nga kjo e diel, vaksinimi i popullsisë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Dozën e parë, e kanë marrë të moshuarit dhe punonjësit e spitaleve në vende si Gjermania, Italia, Franca, etj.
Dita e madhe mbërriti edhe në vendet e Bashkimit Europian, ku këtë të Diel nisi zyrtarisht për të 27 vendet anëtare, injektimi i të parës vaksinë anti-COVID.
Ndryshe nga vendet e tjera të unionit, në krye të listës së vaksinimit në Greqi ishin presidentja Katerina Sakellaropoulou dhe kryeministri Kiriakos Mitsotakis. Vaksina iu injektua atyre mes personave të parë, jo për çështje privilegjesh por t’u dhënë kurajë asaj pjese të popullsisë që i druhet efekteve anësore të produktit të grupit farmaceutik Pfizer/BioNTech.
“Plotësisht pa dhimbje”, kështu ka deklaruar kryeministri i Greqisë menjëherë pas marrjes së dozës së parë. “Kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne, sot mund të jemi optimistë,” shtoi ai.
Personi i parë në Greqi që u vaksinua ishte Efstathia Kambissiouli, kryeinfermiere e njësive të kujdesit intensiv në spitalin Evangelismos të Athinës.
Presidentja Sakellaropoulou e konsideroi vaksinën si dhuratën më të madhe të Krishtlindjes që shkenca i ka bërë njerëzimit.
Për të njëjtën arsye u vaksinua më herët gjatë ditës edhe kryeministri i Çekisë Andrey Babish. 101-vjeçarja gjermane Gertrude Haze është më e moshuara deri më tani e bëri vaksinën që në ditën e parë zyrtare, edhe pse në autoritetet gjermane nisën vaksinimin që të Shtunën në mbrëmje në një azil në rajonin lindor Saksen Anhalt.
Vaksinimi ka nisur edhe në vende të tjera si Francë, Spanjë. 27, 28 dhe 29 Dhjetori janë ditët kur vaksinimi do të nisë në çdo cep të Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian ka lidhur kontrata me disa firma farmaceutike me synim, vaksinimin e 446 milionë banorëve deri vjeshtën e vitit të ardhshëm. Pfizer/BioNTech është i pari grup farmaceutik që mori ditën e gjelbër për vaksinim në BE, teksa pritet që në ditët e para të 2021-shit t’i jepet leja urgjente edhe firmës Moderna.
Vende si Serbia, Zvicra dhe Britania e Madhe që nuk janë pjesë e unionit, e kanë nisur më herët vaksinimin sesa hapësira e përbashkët europiane.