Kryesore Nis vaksinimi kundër gripit për arsimtarët

Nis vaksinimi kundër gripit për arsimtarët

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur sot programin e vaksinimit kundër gripit falas për të gjithë edukatoret dhe arsimtarët në të gjithë vendin.

Ministrja Ogerta Manastirliu ishte sot në kopshtin 36 në Tiranë, ku u krye vaksinimi i stafit.

“U angazhuam që në krye të herës për të siguruar vaksinën ndaj gripit për grupet e riskuara dhe arritëm që ta 4-fishonim sasinë e dozave të vaksinës për këtë vit, për të siguruar një barrierë më të mirë mbrojtëse për të gjithë grupet e riskuara dhe sot nisim programin e vaksinimit në komunitet, pranë vendit të punës, për të gjithë edukatore dhe arsimtarët në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Duke e konsideruar vaksinimin kundër gripit edhe një ushtrim të mirë parapërgatitor për vaksinën antiCOVID, Manastirliu tha se Shqipëria është në linjën e parë për ta patur vaksinën kundër COVID19 sapo ajo të dalë. Sipas saj kjo vaksinë do të bëhet falas.

“Jemi duke punuar për të siguruar të gjithë investimet e nevojshme dhe trajnimin e stafit për vaksinën anti-COVID. Qeveria shqiptare është angazhuar nëpërmjet instrumentit COVAX dhe ka parapaguar 3.9 milion dollarë për të siguruar vaksinën antiCOVID për grupet e riskuara, për 20% të popullatës. Jemi duke punuar edhe me Komisionin Europian, por edhe me disa shtete të veçanta të Bashkimit Europian, për të mundësuar që në momentin që vaksina të jetë e disponueshme, Shqipëria të jetë në një linjë me vendet e tjera, për ta patur vaksinën e sigurt, efektive dhe falas për të gjithë qytetarët”, tha Manastirliu.

Prej muajit shtator ka nisur në të gjithë vendin vaksinimi kundër gripit falas i personelit shëndetësor dhe kategorive të tjera të rrezikuara, duke filluar nga fëmijët 0-5 vjeç, të sëmurët kronikë, të moshuarit mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, edukatoret dhe arsimtarët, etj. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar 368 mijë doza vaksinash kundër gripit falas për qytetarët.