Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, votoi këtë të dielë për zgjedhjet për kryetar të selisë blu. Në një prononcim për gazetarët ai tha se “Nëse më 25 Prill pasur një masakër elektorale nga regjimi i Ramës, sot kemi një maskaradë elektorale”.
Ish-Presidenti tha se rezultati i zgjedhjeve të sotme është paracaktuar dhe vendosur. Për këtë, Nishani renditi arsyet që sipas tij janë që nga fakti që janë përgjysmuar listat e anëtarëve e deri tek kërcënimet për mbështetësit e kandidatëve kundër Bashës.
“Sot është një ditë e rëndësishme së pari për Partinë Demokratike, por edhe për të gjithë shqiptarët. PD duhet të jetë e vetmja shpresë për ta, e vetmja mundësi, i vetmi mekanizëm politik të bërë të mundur daljen e shqiptarëve nga ky ngërç që e ka mbytur Shqipërinë këto 8 vite, që me gjasa do të vijë të thellohet dhe në katër vitet e ardhshme, nga një regjim që ka prishur çdo standard dhe ka minuar gjithçka. Në këtë kontekst PD duhet të shihet si shpresa e shqiptarëve, por edhe për vetë demokratët, për të demonstruar në sytë e opinionit publik që ky është mekanizmi i vetëm politik, është i aftë, i shëndetshëm dhe i fortë që jo vetëm të përballojë regjimin e bandave, regjimin e masakrës elektorale, por dhe të sjellë dhe një model krejt ndryshe me marrjen e pushtetit nga ana e saj. Për fat të keq kjo sot jo nuk u realizua por dëshmoi të kundërtën. Nëse më 25 Prill kemi pasur një masakër elektorale nga regjimi i Ramës, sot kemi një maskaradë elektorale. Më vjen keq ta them këtë, sepse jam dhe unë përgjegjës i kësaj situate si shumë demokratë të tjerë, që kemi lejuar që të vazhdojë projekti për të shkatërruar PD-në. Unë sot kam një mesazh për bashkëpunëtorët e mi, për anëtarët e PD, për themeluesit e PD-së, për rininë që duhet të jetë sot vijë e parë e lidershipit të PD, do t’iu them atë që të gjithë ata që kanë marrë përsipër misionin e shkatërrimit të PD-së në një fasadë që kanë marrë përsipër një mision të pamundur. PD është ngritur nga hiri i djegies së vendit. Ka pasur shumë sakrifica. Gabojnë rëndë ata që mendojnë se mund ta marrin peng PD-në, mund ta bëjnë një forcë pa energji. Po ju them shkurtimisht disa fakte që besoj se opinioni publik i ka parë. Së pari nuk ka pasur një garë të barabartë dhe të ndershme, kandidatët e tjerë veç kryetarit në detyrë nuk kanë pasur asnjë mundësi infrastrukturore. Drejtuesit në degët lokale kanë refuzuar vendimet e Këshillit Kombëtar që të organizojnë takimet për kandidatët e tjerë. Sot në degën e Devollit nga 2 mijë anëtarë që ishte lista e PD më parë, sot lista ka përfunduar me 900 anëtarë. 50% e anëtarësisë është zhdukur brenda 3 muajsh. Në Kavajë përfaqësuesi i kandidates Edit Harxhi është kërcënuar fizikisht pasi tentoi që të pengonte një person që përveç votës për vete, votoi edhe për anëtarët e familjes. Mesa duket kryetari në detyrë ka një frikë nga mungesa e mbështetjes reale nga anëtarësia e PD. Përpiqet që të reduktojë numrin e anëtarësisë. PD sot është në një rrezik të madh për ta kthyer në një aneks pa forcë brenda. Kjo është një betejë për demokracinë. Shumica e demokratëve janë zemërthyer për këtë debat që kemi sot. Duhet të kishim debatin se si do të niste rruga drejt modernizimit. Sot diskutojmë për pamundësi për të bërë fushatë. Atë që Rama bëri më 25 prill me shqiptarët, kryetari në detyrë i PD po e realizon sot brenda PD. Rezultati i zgjedhjeve është paracaktuar që në momentin ku në mënyrë antistatutore, të padrejtë, u përjashtuan kandidatë për të garuar, që në momentin që u vendos data e zgjedhjeve pa konsultë. Rezultati jo është paracaktuar, por është vendosur. Kjo e dëmton akoma dhe më shumë imazhin e PD-së. PD ka një sfidë më të madhe, sfidën për rezistencë. Nëse PD nuk kthehet në partinë e 1 milionë shqiptarëve që e votojnë dhe e mbështesin, regjimi i Ramës do të vazhdojë dhe të rrijë në kurrizin e shqiptarëve, shumë e shumë kohë”, tha Nishani.
Nishani komentoi edhe deklaratat e Berishës. “Për mua një mesazh shumë i qartë. I thotë anëtarësisë që situata në PD është e rëndë dhe duhet ndryshuar. Është mesazh që ka një dhimbje dhe thirrje të madhe për situatën e rrezikshme që është PD”.
“Unë jam njeri që vlerësoj institucionet. Për fatin e keq edhe kjo mundësi është e pamundur sot, partia nuk ka institucionet e ankimit. Prej 4 vitesh ka qenë e detyrueshme që të ngrihej komisioni i apelimit”.
A do të vazhdojë Nishani në krye të Këshillit Kombëtar?
“Kjo i takon Këshillit Kombëtar që më ka zgjedhur. Unë jam, kam qenë dhe do mbetem në borxh politik me PD gjithë jetën”, tha ai.