Me qindra qytetarë u mblodhën një natë më parë pranë godinë së Hagia Sophia, e cila me një vendim gjykate nuk do të jetë më muze, por xhami.
Qytetarët nisën faljen në orët e mbrëmjes, pak orë pas marrjes së vendimit.
“Është një ndjenjë e mrekullueshme. Ndiej se Stambolli është pushtuar sërish. Ndiej sikur jam në Mekë”, thotë një besimtar.
“Ne kryem faljen e parë këtu. Ndihemi krenarë. Pak të trishtuar se ishte diçka që duhej të ishte bërë kohë më parë. Duhet të ishte bërë vite më parë por disa fuqi nuk e lejuan”, shton një tjetër.
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, një ditë më parë e shpalli Hagia Sophia xhami, duke u shprehur se faljet e para të myslimanëve do të fillonin brenda dy javësh.
Erdogan tha se Hagia Sofia do të qëndrojë e hapur për myslimanët, të krishterët dhe të huajt, por shtoi se Turqia kishte ushtruar të drejtën e saj sovrane për ta shndërruar atë në një xhami dhe do të interpretonte kritikat, një sulm ndaj pavarësisë së saj.
Presidenti turk e bëri njoftimin e tij vetëm një orë pasi u publikua vendimi i gjykatës, duke lënë mënjanë paralajmërimet ndërkombëtare për të mos ndryshuar statusin e monumentit 1500-vjeçar.
Gjykata vlerësoi se vendimi i Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne i vitit 1934 për ta shndërruar Hagia Sofinë në muze, ishte i paligjshëm.
Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe drejtuesit e kishave kanë shprehur shqetësimi për ndryshimin e statusit të sitit të trashëgimisë botërore të UNESCO-së, një pikë qendrore e perandorive të krishtera bizantine dhe osmane dhe tani një nga monumentet më të vizituar në Turqi.