Në samitin e Nismës Tre Detet që do të mbahet këtë vit në Bukuresht, Greqia pritet të pranohet si anëtari i 13-të. Ukraina dhe Moldavia marrin statusin e partnerit.
Nisma e Tre Deteve është një platformë politike që bashkon dymbëdhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore të Bashkimit Evropian të vendosura midis Detit Baltik, Detit të Zi dhe Adriatikut. Vendeve anëtare aktuale, përkatësisht Austria, Bullgaria, Kroacia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia, pritet t’u shtohet Greqia në samitin e iniciativës që do të mbahet këtë vit në kryeqytetin rumun, Bukuresht.
Në takim do të marrin pjesë edhe partnerët strategjikë që mbështesin Nismën Tre Detet, përkatësisht Komisioni Evropian, Gjermania dhe SHBA, si dhe përfaqësues të organizatave përkatëse ndërkombëtare.
Një prioritet i shtyrë
Nisma e Tre Deteve është para së gjithash një projekt politik që synon bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin e shteteve pjesëmarrëse. Me përjashtim të Austrisë, të gjitha shtetet anëtare aktuale iu bashkuan BE-së vetëm pas vitit 2004. Fokusi është në zhvillimin e infrastrukturës në sektorët e energjisë, transportit dhe digjitalizimit, si dhe në forcimin e të ashtuquajturit bosht veri-jug në lindje të kontinentit evropian.
Një nga arsyet për ngritjen e kësaj nisme ishte kërcënimi në rritje nga Rusia dhe varësia e vendeve nga furnizimet ruse me energji. Shtetet anëtare gjithashtu duan t’u japin më shumë peshë interesave të tyre politike brenda BE. Vendet e Nismës së Tre Deteve përfaqësojnë rreth 25% të sipërfaqes tokësore dhe popullsisë së BE, por gjenerojnë pak më shumë se 10% të Produktit Kombëtar Bruto të BE-së.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës i zhvendosi prioritetet politiko-ekonomike jashtë platformës dhe vuri sigurinë në plan të parë. Për shkak të agresionit rus, vendet joanëtare të BE, Ukraina dhe Republika e Moldavisë, kanë shfaqur interes për t’iu bashkuar kësaj platforme. Një partneritet solid pritet t’u ofrohet fillimisht gjatë takimit të Bukureshtit.
Një “Intermarium” i ri?
Në vitet 1930 ka pasur njëherë një përpjekje për të krijuar një format të ngjashëm. Intermarium, një shoqatë e disa vendeve midis Detit Baltik, Detit të Zi dhe Adriatikut, ishte konceptuar me iniciativën e Polonisë si një platformë gjeostrategjike dhe do të ofronte mbrojtje kundër Bashkimit Sovjetik komunist të Stalinit dhe Gjermanisë naziste hitleriane. Përpjekja dështoi.
Tetë dekada më vonë, një vrull i ri çoi në krijimin e Nismës Tre Detet – një emër i ri për një projekt me synime të reja. Në vitin 2015, presidenti polak Andrzej Duda dhe presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç nisën nismën e re, e cila fillimisht synohej të ishte një projekt infrastrukturor që synonte forcimin e bashkëpunimit midis vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Samiti i parë i Nismës së Tre Deteve u zhvillua në vitin 2016 në Dubrovnik, Kroaci.
Një vit më vonë, në Varshavë, Shtetet e Bashkuara njoftuan synimin e tyre për të punuar më ngushtë me Platformën. Në vitin 2018, në takimin e Bukureshtit, edhe Gjermania shprehu interesin e saj për t’u përfshirë më shumë në Platformë. Ndërkohë është krijuar edhe një fond investimi për financimin e projekteve të nismës. Një sinjal i fortë solidariteti me Ukrainën pritet në samitin e këtij viti, që do të mbahet më 6-7 shtator në kryeqytetin rumun. Për më tepër, anëtarësimi i Greqisë duhet të dërgojë një sinjal për forcimin e Iniciativës së Tre Deteve në zonën Euro-Atlantike./DW