‘Nisma’ ka prezantuar sot ekipin për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në një veprimtari të organizuar krejt ndryshe për shkak të pandemisë Covid-19, lëvizja tashmë me synime politike shpalosi synimet e saj.
E konceptuar në një format të veçantë, në skenë dolën me radhë Endri Shabani, më pas ish-deputetja demokrate Rudina Hajdari, ekonomisti Pano Soko, fermerja Gerta Loku, mjeku Artan Koni e disa persona të tjerë.
Secili prezantoi një fushë të caktuar duke ngritur problematikat e mëdha që ekzistojnë në secilën prej tyre dhe idetë për përmirësimin e zgjidhjen e këtyre problemeve.
Endri Shabani ngriti siparin duke thënë se vendi qeveriset nga një klasë politike që po zhvat vendin në bashkëpunim me oligarkët. Ai theksoi se vendimet për të ardhmen e vendit duhet të merren nga shqiptarët e jo banorë e Rolling Hills.
“Dikur kishim pushtues të huaj që merrnin burimet e pasuritë natyrore tonat, sot kemi një lloj të ri pushtuesi. Ata janë oligarkët e vendit. Që vjedhin e grabisin gjithçka që është e përbashkët dhe në kurrizin tonë ndërsa ne nuk na ngelet gjë tjetër veç të paguajmë faturën e kostot. Rruga e parë e projektit tonë ishte që të dorëzohemi ndërsa rruga tjetër është që të shkojmë më tej. Ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi. Kemi zgjedhur të angazhohemi politikisht por do kërkojmë të përfaqësohemi direkt në parlament e më tej në Këshillat Bashkiakë. Nuk do rrimë në dorën e tyre. Këto vendime do i marrim ne si shoqëri jo nga banorët e Roling Hills”, tha ai.
Hajdari tha në fjalën e saj se klasa politike ka dështuar këto 30 vjet me qeverisjen e vendit duke e varfëruar atë, duke i detyruar shqiptarët të ikin e duke e kthyer vendin në një prej vendeve më të korruptuara në botë.
“Ka shpresë në këtë vend. Pas 30 vitesh tranzicion që dogji ëndrrat e shqiptarëve, kjo klasë e vjetër politike e ka renditur Shqipërinë si një nga vendet më të varfra, më të korruptuara në botë. Sot ka shpresë dhe atë nuk na e vjedhin dot. Një vend me kaq shumë pasuri nuk mund të jetë i varfër. Ai është i vjedhur nga klasa politike e oligarkët dhe sot ka ardhur koha që të marrim fatin tonë në dorë, të marri vetë vendimet.” – tha Hajdari.
Ekonomisti Pano Soko theksoi se pas një beteje të gjatyë të Nismës jo vetëm në rrjetet sociale por edhe me denoncime në prokurori, ka ardhur koha që ajo dhe qytetarë të futën në parlament dhe të ndryshojnë prej aty atë që duhet të ndryshojë, që duhet bërë më mirë.
“Koncesione në SPAK e tendera në prokurori. Por edhe kjo nuk ndryshoi asgjë. Ju thatë duhet më tepër. Ju thatë nëse do të ndryshosh diçka futu aty dhe ndryshoje vetë. Kjo është ajo që ne do bëjmë, do futemi aty dhe do e bëjmë vetë. Ide për ekonominë, për taksat, për rritjen e rrogave, për bujqësinë, për transportin, urimin, futu aty dhe bëje vetë. Dhe ne këtë po bëjmë do futemi dhe do e bëjmë vetë. Ekipi që ne kemi ka edhe njeriun edhe idenë.” – theksoi ndër të tjera Soko në fjalën e tij.
Gerta Loku, fermere: “Ne jemi një sektor strategjik por vetëm 2% e buxhetit i jepet këtij sektori që jep 20% të PBB-së. Buxheti duhet të rritet për këtë sektor. Konsultimi mes shtetit e fermerit duhet të jetë i drejtpërdrejtë. Politika që mbrojnë prodhimet shqiptare.
Artan Koni, mjek: “Mungojnë aparaturat, mjekimet, kushtet normale në dhoma e spitalit, mungojnë shtretërit. Shkaku kryesor i kësaj gjendjeje është centralizimi i skajshëm i shëndetësisë shqiptare. Të gjithë tenderat bëhen nga Ministria e Shëndetësië. Teorikisht është shumë bukur. Që gjërat të nisin të funksionojnë duhet që spitali të menaxhohet vetë, ose e thënë ndryshe vetëmenaxhimi i spitalit. Tenderat të mos i bëjë më ministria por t’i bëjë vetë spitali.”