Kryesore Një 18-vjeçar, viktima më e re e Covid në Shqipëri

Një 18-vjeçar, viktima më e re e Covid në Shqipëri

Një 18-vjeçar nga Elbasani humbi jetën në spitalin “Shefqet Ndroqi” mesditën e së hënës, si pasojë e koronavirusit.

Ai ndodhej në intubim prej disa ditësh, por nuk mundi t’ia dalë mbanë pas përkeqësimit të gjendjes në 24 orët e fundit. 18-vjeçari është viktima me moshën me të re të Covid-19 në Shqipëri që nga nisja e pandemisë, ndërkohë që mësohet se ai nuk vuante nga sëmundje shoqëruese.

Humbja e 18-vjeçarit nuk ishte i vetmi lajm tragjik i së hënës. Një 28-vjeçare e shtatzënë, humbi jetën pas infektimit me Covid në qytetin e Elbasanit. Mësohet se ndaj nënës është ndërhyrë që të sillte në jetë fëmijën e saj në muajin e shtatë, për shkak të gjendjes së rënduar.

Fëmija gëzon shëndet të plotë ndërkohë që nëna nuk mundi që të qëndrojë në jetë, për shkak të komplikacioneve që u shfaqën pas infektimit. Në raportimet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë vihet re një rritje e numrit të viktimave në moshë të re.

Ekspertët e shëndetësisë kanë dyshime të forta se ne vendin tonë që kanë hyrë dy mutacionet e tjera të virusit Covid-19, ai britanik dhe ai më i rëndi i Afrikës së Jugut.