Ka marrë fund arratia e autorit të sulmit të armatosur me 10 viktima në Monterey Park të Los Angeles, i cili në momentin që u ndalua nga policia ktheu armën drejt vetes për t’u vetëvrarë.
Autoritetet e kanë identifikuar vrasësin si 72-vjeçarin, Huu Can Tran i cili me një armë sulmi hyri në një klub ku po festohej viti i ri kinez dhe hapi zjarr ndaj të pranishmëve duke vrarë 5 burra dhe 5 gra. Dhjetë persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital.
Ngjarja në qytetin 13 kilometra larg Los Anxhelosit, ku shumica e popullsisë është me origjinë aziatike, nisi pak pas orës 22:00 të së shtunës në mbrëmje.
Masakra e Monterey Park konsiderohet si më e përgjakshmja në Shtetet e Bashkuara që nga tragjedia në shkollën fillore të Uvaldes në Teksas, majin e kaluar.
Rreth 20 minuta pas masakrës, i moshuari u zhvendos vetëm 3 kilometra nga vendngjarja dhe hyri në një restorant tjetër kinez me një pistoletë, por u çarmatosur nga klientët përpara se të ndodhte më e keqja.
Ai më pas iku me një furgon të bardhë dhe udhëtoi 50 kilometra përpara se të ndalohej nga ekipet speciale të policisë, Swat, me dy automjete të blinduara në Torrance. Oficerët i kërkuan të dorëzohej, por ai refuzoi dhe e drejtoi armë nga vetja duke u vetëvrarë.
Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, por shtypi në Los Anxheles ka zbuluar disa detaje të dëshmive të të pranishmëve dhe të afërmve të autorit. Dyshohet se autori ishte në ndjekje të ish-bashkëshortes së tij, të cilën donte ta vriste, për shkak të sherreve të vazhdueshme.
Hyri në sallën e kërcimit për të kërkuar ish-bashkëshorten e tij, ndërsa ishte shprehur se edhe të pranishmit flisnin gjëra të këqija për të. Në fillim të viteve 2000, Tran jepte mësime vallëzimi në të njëjtën studio ku kreu masakrën. Aty ishte njohur edhe me ish-bashkëshorten, por martesa e tyre përfundoi në divorc në vitin 2005. Ish-bashkëshortja e cila nuk dëshiroi të identifikohet, tha për CNN se Tran nxehej shpejt kur ajo nuk i bënte mirë ushtrimet.
Shtëpia e Bardhë uli flamujt në gjysmë-shtizë në nder të viktimave të masakrës që ndodhi gjatë festimeve të vitit të ri kinez.