Bota Një 90-vjeçare është personi i parë që merr vaksinën në Britaninë e...

Një 90-vjeçare është personi i parë që merr vaksinën në Britaninë e Madhe

Një 90-vjeçare, nga Irlanda e Veriut, u bë personi i parë që mori vaksinën e Pfizer dhe Biontech, si pjesë e fushatës së vaksinimit në masë që nisi sot në Britaninë e Madhe. Të parët që do të imunizohen janë ata mbi moshën 80-vjeçare dhe një pjesë e stafit shëndetësor.

Për Margareth Keenan – e cila mbush 91 vjeç javën e ardhshme – vaksina kundër Covid-19, është dhurata më e bukur që mund të merrte për ditëlindje. Ajo u bë personi i parë që mori vaksinën e prodhuar nga Pfizer dhe Biontech, si pjesë e programit të vaksinimit në masë, që nisi të martën në Britaninë e Madhe.

Gruaja e mori injeksionin në 6:31 të orës lokale, i pari nga 800 mijë të tillë që do të jepen gjatë javëve në vazhdim, ndërsa deri në 4 milionë doza të tjera priten deri në fund të muaji. Qeveria ka porositur 40 milionë doza në total, mjaftueshëm për të vaksinuar 20 milionë njerëz, por pjesa më e madhe pritet të jetë e disponueshme vitin e ardhshëm.

Kenat tha se ndihej e privilegjuar të bëhej personi i parë i vaksinuar dhe se pas një periudhe të gjatë izolimi priste me padurim të kalonte festat me miq e familjarë.

“Është dhurata më e mirë sepse do të thotë që më në fund mund të pres dhe të kaloj kohë me familjen dhe miqtë e mi për Vitin e Ri, pasi isha vetëm për pjesën më të madhe të vitit”, tha ajo.

Pas saj, vaksinën e mori një i moshuar, që quhej William Sheakespear, i cili përveçse emrin ndan me shkrimtarin e famshëm britanik edhe vendlindjen e tij, Warwickshire.

Personat mbi 80 vjeç dhe disa pjesëtarë të stafit shëndetësor, do të jenë të parët që do të imunizohen në rreth 70 qendrat e vaksinimit rreth vendit. Britania e Madhe u bë vendi i parë në botë që i dha dritën jeshile vaksinës së Pfizer dhe Biontech javën e kaluar. Vaksinimi nuk është i detyrueshëm.