Linja ajrore kombëtare e Pakistanit ka marrë kritika të ashpra për publikimin e një reklame që tregonte një aeroplan që fluturon drejt Kullës Eiffel.
Reklama ka për qëllim të promovojë rifillimin e fluturimeve të Pakistanit International Airlines (PIA) në kryeqytetin francez dhe ka mbishkrimin “Paris, po mbërrijmë sot”, raporton BBC.
Disa përdorues të mediave sociale vunë re se reklama të kujtonte sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA.
Fotoja është parë më shumë se 21 milionë herë në X që kur u postua të dielën e kaluar dhe ka ngjallur një reagim të shpejtë.
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif ka urdhëruar një hetim për këtë çështje, ndërsa zëvendëskryeministri Ishaq Dar gjithashtu kritikoi reklamën, njoftuan mediat pakistaneze.
Disa përdorues të mediave sociale kanë pretenduar se PIA kishte një reklamë në vitin 1979 që tregonte hijen e një avioni pasagjerësh mbi Kullat Binjake në Nju Jork, sipas BBC.
Në vitin 2016, linja ajrore u kritikua pasi stafi sakrifikoi një dhi përpara një fluturimi për të shmangur fatin e keq pas një prej fatkeqësive më të rënda ajrore të vendit, sipas transmetuesit publik britanik.
PIA gjithashtu shkaktoi komente negative kur u tha stjuardesve se duhej të humbnin peshë ose nuk do të ishin më në gjendje të fluturonin, dhe stafit iu tha se kishin gjashtë muaj kohë për të humbur “peshën e tepërt”.