Një ditë para vizitës në Shqipëri, presidenti turk Rexhep Taji Erdogan shpalosi vizionin e tij mbi rajonin si dhe atë se ç’vend zë pikërisht Shqipëria në këtë vizion.
“Turqia është një pjesë e pandashme e Ballkanit dhe Ballkani është një rajon i domosdoshëm interesi për Turqinë. Pikëpamja e Turqisë për Ballkanin është formuar nga historia dhe kultura e përbashkët. Sidomos gjatë dy dekadave të fundit, Turqia ka bërë çmos për të nxitur marrëdhënie më të ngushta dhe miqësore me vendet e Ballkanit.
Shqipëria është qendra e kësaj perspektive. Turqia e sheh Shqipërinë si mike dhe si një aleat natyror. Turqia beson se rritja e mirëqenies dhe stabilitetit në Shqipëri do t’i shërbejë paqes dhe qetësisë në të gjithë rajonin.
Në këtë aspekt, Turqia ka mbështetur gjithmonë me vendosmëri zhvillimin dhe sigurinë e miqve dhe Shqipërinë vëllazërore me ndjenjat më të përzemërta e të sinqerta, dhe është të vendosur për ta bërë këtë në të ardhmen”, thekson lideri turk, i njohur për raportin e tij të ngushtë me kryeministrin Rama, duke iu bërë mbështetja më e madhe në çdo aspekt gjatë viteve të qeverisjes së deritanishme.
Erdogan thekson se Shqipëria është kthyer në një nga vendet ballkanike me të cilat marrëdhëniet e Turqisë janë më të qëndrueshme dhe pozitive.
“Bashkëpunimi në fushat sociale, kulturore dhe ekonomike po rritet çdo vit. Marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Turqi në 6 janar 2021 kanë qenë një pikënisje e re dhe historike. Si rezultat i kësaj vizite, midis Turqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua Deklarata e Përbashkët Politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, e cila ka qenë në rendin e ditës prej vitesh, dhe marrëdhëniet mes dy vendeve u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik”, vijon Erdogan.
Ai më tej kalon në shifra të këmbimit tregtar.
“Turqia ka investime mbi 3.5 miliardë dollarë në Shqipëri, duke përfshirë shërbimet kontraktuese. Kontributi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, e cila është në fuqi që nga viti 2008, në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe arritjen e këtyre shifrave ka qenë i madh. Në Shqipëri operojnë rreth 600 kompani turke të regjistruara dhe këto kompani jo vetëm që kontribuojnë në prodhim, por ofrojnë edhe punësim për rreth 15 mijë persona. Me këto shifra, Turqia është një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri”, tha ndër të tjera presidenti turk.