Fitorja e shkëlqyer e Bayern Munchen kundër Hoffenheim, me rezultatin 6-0, u shëmtua nga parullat e turpshme të tifozëve ultras të bavarezëve, të cilat ofendonin pronarin e Hoffenheim Dietmar Hopp.
Kjo u bë shkak për ndërprerjen e ndeshjes dhe reagimit të ashpër të të gjithë lojtarëve dhe stafit drejtues të Bayern ndaj tifozëve, të cilët zbritën në fushë për t’i thënë që t’i largonin ato. Por Presidenti i Bayern, Karl-Heinz Rummenige paralajmëron që do të ketë pasoja pas asaj që e quajti një ditë të errët për futbollin.
“Nuk ka asnjë justifikim për atë që ndodhi në seksionin e tifozëve tanë. Ishte një anë shumë e shëmtuar e Bayern, në një ndeshje ku skuadra po luante mrekullisht. Kemi pamje filmike të incidenteve dhe do të marrim masa strikte ndaj personave përgjegjës për diskreditimin e klubit”, tha Rummenigge pas ndeshjes. “Kemi mbyllur për shumë gjatë njërin sy për atë që po ndodhte me tifozët tanë. Sot lejuam shumë dhe gjërat do të ndryshojnë”.
Pasi arbitri ndërpreu ndeshjen për disa minuta, lojtarët u rikthyen në fushë dhe nisën t’i pasonin topin njëri-tjetrit deri në vërshëllimën përfundimtare, ndërsa në fund, Rummenige dhe Hopp zbritën në fushë për t’u duartrokitur nga tifozët vendas.