Aktualitet Një bisedë për Memaliajn me aktorin e mirënjohur, Vasil Vaso

Një bisedë për Memaliajn me aktorin e mirënjohur, Vasil Vaso

Memaliaj i viteve ‘50

Memaliaj është një vend magjik, jo vetëm për ata që u lindën dhe rritën aty, por edhe për ata që kanë dhënë kontributin e tyre, që në ditët e para të themelimit të qytetit dhe pas disa vitesh kanë jetuar e punuar në një qytet tjetër. Një prej tyre është edhe aktori i mirënjohur komik, Vasil Vaso.

Ashtu si për shumë të tjerë edhe për ne, Facebook-u na krijoi mundësinë për t’u prezantuar dhe vazhduar një korrespodencë dhe kjo fal dashurisë së aktorit, Vasil Vaso, që ruan ende për qytetin e Memaliajt dhe banorët e saj të hershëm, ku me disa ka punuar, por edhe me ata që e kanë trashëguar dhe vazhdojnë ta trashëgojnë këtë qytet.

Isha unë ai që i shkruajta, pasi ne jemi krenuar gjithmonë, jo vetëm me emrin e tij të mirënjohur nëpër skenat dhe ekranin e vetëm të televizorit të asaj kohe, por edhe dashuria e tij që ka shprehur për Memaliajn në çdo kohë.

Përgjatë bisedave që kemi shkëmbyer, munda të bëjë një përmbledhje të kujtimeve të tij, të cilat më duken me shumë vlerë, të cilat besoj se do të mirëpriten edhe nga bashkëqytetarët e tjerë.

Vijimet e disa kujtimeve të tij për Memaliajn dhe me ata që ai ka punuar, po i sjellim si më poshtë:

Vasil Vaso: “Përshëndetje Mondi! Unë ndodhem në Tampa të Floridës, tek familja e djalit tim. Aty rri rreth 6 muaj, ku kaloj dimrin dhe kthehem përsëri në Shqipëri, për të kaluar pjesën tjetër të vitit. Sa herë që shkoj për në fshatin tim në Gjirokastër, kthej kokën nga Memaliaj, ku kam aq shumë kujtime. Ndonjëherë shkoj dhe në qytet, se aty kanë mbetur disa shok të vjetër. por gjerat kanë ndryshuar dhe Memaliaj nuk është si atë kohë. T’i je i ri. Unë e mbaj mend shumë mirë!

Edhe pse në pension, e gjej kohën për të shkruajtur anekdota e të lexoj artikuj dhe botime të ndryshme, por nga biseduat me ju, shkrimet tuaja për Memaliajn dhe banorët e saj, pa harruar dhe komentet e të tjerëve që bëjnë në shkrimet që ke publikuar tek “Faqja Memaliaj”, më kanë kthyer shumë pas në kohë dhe i kujtoj me nostalgji! Në këtë qytet të vogël të banuar me njerëz shumë të dashur, kam kaluar gjashtë vjet nga rinia ime, eksperiencë kjo, e cila më ka ndihmuar shumë, në vazhdim të jetës time. Pesë vitet e para, ishin “Universiteti i Jetës” time, ndërsa viti i gjashtë, ishte Masteri. Shprehem kështu pasi, aty punonin dhe banonin në harmoni njerëz dhe familje; edhe pse të ardhur nga treva të ndryshme të vendit, duke sjellë me vete kulturën dhe traditat e tyre.

Shumë nga ata që kam punuar e njohur, kanë ndërruar jetë.

Ishte viti 1956, kur përfundova Politeknikumin “17-Nëntori”, në Tiranë me rezultate të mira. Nuk më dhanë të drejtë për të vazhduar studimet e larta që sapo ishte hapur, pasi duhej të bëja tre vjet punë në prodhim. Si e tillë duhej të punoja diku dhe më emëruan të punoja në Memaliaj. Me një shkresë në dorë, nga shefi i kuadrit të Ministrisë dhe Minierave, i cili quhej Seladin, por mbiemrin nuk më kujtohet, marr rrugën për në Memaliaj.

Më kujtohet dita e parë kur kam ardhur në Memaliaj. Ishte mëngjesi i një ditë të ftohtë gushti, të vitit 1956 dhe vesha një xhaketë të lehtë kur u nisa nga fshati im. Kur mbërrita në mesditë, në Memaliaj, e hoqa xhaketën dhe e mbaja në dorë, pasi bënte vapë. Qyteza kishte pak vite që kishte hedhur themelet dhe po ngrihej e shtrihej me shpejtësi.

Iu afrova një çezmeje prej betoni, të pija ujë dhe aty ishte një djalë i ri, i cili po mbushte ujë. Më vonë mësova se ai quhej, Xhevat Llanaj dhe ishte një djalë jetim. Ai punonte si ndihmës kovaç me usta Riko Çilin. E pyeta Xhevatin dhe ai më tregoi se ku ishin zyrat e drejtorisë së Minierës, të cilat ishin në një ndërtesë njëkatëshe. Në atë kohë, drejtori i  minierës ishte, Muzak Kalajnxhi, kryeinxhinier ishte, Hajredin Shtino dhe inxhinier, Idriz Dhrami. Të tre sot, janë në Parajsë.

Pa u menduar, me pallto në krah, u futa te zyra e drejtorit.

Sa më pa, më tha: – Dil përjashta, vish xhaketën dhe pastaj futu brenda.

Dola, e vesha pallton dhe pasi u futa prapë, i dhashë shkresën.

E pashë që nuk i pëlqeu sjellja ime, ngaqë u futa në zyrë me xhaketë të mbajtur në dorë.

Isha më pak se 18 vjeç.

Pasi e mori shkresën jo me shumë dëshirë, i hodhi një sy për pak sekonda dhe ma kthehu mbrapsh, duke u shprehur: – Nuk kemi vend pune. Mund të ikësh.

Dola jashtë dhe u ula i mërzitur, në një stol që ndodhej në korridor.

Vendoasa të hyja përsëri në zyrën e tij dhe i thashë:

– Shkruaj këtu në këtë shkresë, arsyen: Pse nuk më pranon të punoj në këtë ndërmarrje?

Ai më vështroi me habi, dhe shruajti:

– Nuk e pranoj, se kemi shumë në organikë…

Ika po atë mbrëmje në Tiranë.

Të nesërmen shkova në Ministri, tek Selaudini.

Pasi i dhashë shkresën, i tregova edhe ngjarjen.

Ai u nxeh menjëherë, pasi unë mbarova së treguari dhe më pyeti:

– Do të shkosh në Cërrik?

– Më mirë më pëlqen në Memaliaj, se kam dhe fshatin tim afër. – iu përgjigja unë.

Menjëherë, mori në telefon drejtorin dhe e qortoi … duke iu shprehur:

– Po të dërgojmë të parin “Teknik Mekanik”, që të punojë aty dhe nuk e pranon?!

Nuk dëgjoja çfarë përgjigje i dha drejtorit, por mua më tha:

-Shko përsëri dhe do fillosh punë menjëherë …

Ika i gëzuar dhe shkova e fillova punë në Ofiçinën e Minierës, e cila ishte një godinë e vjetër, që ndodhej afër godinës së drejtorisë.

Pasi fillova punë, një vit më lanë si teknik i lirë.

Vitin e dytë, transferuan shefin e ofiçinës, Misto Gjoka dhe e emërojnë si përgjegjës tek  “Reparti i Jashtëm”, ku punonin teleferikët, që sillnin qymyrin, nga tre sektorët e minierës. Në vendin e tij, më caktuar mua si përgjegjës i ofiçinës.

Sa herë e kaloj ndërmend, aq herë më vjen për të qeshur, kur kujtoj sesi e pagoi drejtori keqpritjen time.

Kaluan 2 vjet. Ishte gushti i vitit 1958-të dhe përkoi përsëri muaji gusht.

Në mëngjes, sa shkova në punë, më erdhën në zyrë njeriu që më donte shumë, pasi flisnim ndonjëherë dhe greqisht. Ai ishte usta Rikua, së bashku me axhustatorin e mirë dhe patriotin tim, Kristaq Papa.

Ata më pyetën, nëse e njihja Shefqet Peçin.

– E di, – u thash unë, – është caktuar Ministër pa Portofol.

– Po, por tani ndodhet në Memaliaj, tek zyra e drejtorit. – ma kthyen të ata.

– Po pse ma thoni? – iu drejtova unë.

– Të themi se është lab i egër. Ai vjen për kontroll dhe pushon njerëz nga puna.

Mbrapa ofiçinës ka shumë pisllëqe, nga punëtorët e “Repartit të Jashtëm”, të cilët vinë natën dhe e kanë kthyer në W.C. Prandaj, më mirë ik që t’mos gjej këtu. – përfunduan ata së më treguari.

U binda dhe u nisa menjëherë nga Sektori i III-të, ku isha për momentin.

Nuk kaloi asnjë orë, ministri bashkë me drejtorin, shkuan në ofiçinë dhe për çudi, u drejtuan nga ana e jashtme, përreth saj. Siç dukej, ministri kishte nuhatje të fortë karshi edhe ndotjeve që ndodheshin nga prapa ofiçinës.

Kur shkuan për kontroll nga prapa ofiçinës, panë me qindra “piramida” të vogla Egjipti, që qëndronin “krenare”.

– Ç’janë këto? – i tha drejtorit.

– E ka fajin përgjegjësi i ofiçinës,- i tha drejtori, – dhe unë tani po i shoh.

– Thirre të vij këtu, – e urdhëron ministri.

Drejtori u largua me të shpejtë dhe shkon tek mekanikët dhe u thotë: – Të gjeni Vasilin dhe t’i thoni që të paraqitet menjëherë këtu.

– Ka ikur që në mëngjes, në “Sektorin e tretë” dhe në drekë kthehet, – iu përgjigjën ata dhe drejtori largohet, për t’u kthyer në fushën e minuar.

– Nuk ndodhet këtu tani, – i tha drejtori, ministrit.

– Atëherë, do ta fus ty, hundët në m*t. Nesër t’i pastroni dhe të më informoni.

(Të mos kisha ikur unë, rrezik të fuste hundën time, në ndonjë “piramidë”, por më shpëtuan punëtorët e mi…).

Të dy, si ministri dhe drejtoi, u larguan për në drejtori.

Rrugës ishin dy kolona druri, prej 10 metra të larta secila, të cilat mbanin telat elektrike.

Në një prej tyre, ishte gozhduar një tabelë. Ministrit i ra në sy përmbajtja që ishte mbi tabelë dhe ndaluan, duke e pyetur njëkohësisht edhe drejtorin.

– Çfarë shkruat mbi atë llamarinë, atje lart?

– Është tabelë mbrojtëse për njerëzit, – iu përgjigj drejtori.

– Më lexo ç’farë shkruhet? – e pyet ministri.

– “PERIKOLO DI MORTE, – i tha drejtori.

– “PERIKOLO DI MUTI”, – i tha ministri.

– Të hiqen menjëherë dhe t’i shkruani shqip, – urdhëroi ministri.

Të nesërmen, piktori i ndërmarrjes, me një shkallë druri, u ngjit dhe pasi leu tabelën me bojë të bardhë, shkruajti mbi tabelë, “RREZIK VDEKJE”.

…Vijon

Përgatiti: Edmond Ismailati

Mars 2022