Opinione Një çerekshekull pas-çaushist në Rumani

Një çerekshekull pas-çaushist në Rumani

Nga Kopi Kyçyku

Po ta këqyrim me vëmendje historinë, ashtu si për neve, edhe për rumunët, si komb, si popull, si vend, ajo ka qenë e ngjashme: jo oportunizmi, por lufta kundër tij; vetëmohimi, jo përulja para vështirësive. Pra, edhe në rastet kur jo pak politikanë, filozofë a historianë, i ka vënë përfund varfëria morale dhe fatalizmi, shpresa përtëritëse nuk i ka braktisur stërnipat e Dakisë së lashtë. Një gjë e tillë u dëshmua në dhjetor 1989, kur vlerat etike të rumunëve i pamë si realitet të gjallë e të prekshëm, jo si motive retorike. Shpirti fisnik i dha kuptim humanizmit popullor dhe i betonoi themelet e së ardhmes së Rumanisë. Kjo s’do të thotë që gjithçka është vënë në vijë njëherë e përgjithmonë.

Populli rumun, me një histori e kulturë të pasur, përjetoi në çerekshekullin e fundit një ëndërr shpresash ende të papërmbushura. Rumania nuk është “tigri ekonomik” i Evropës Qendrore dhe Lindore, sikurse pritej.

Le të bëjmë një prapakthim për të parë ç’vend zinte Rumania më 1989 në krahasim me shtetet e zhvilluara duke iu referuar të dhënave statistikore të sakta (shih, ndër të tjera, studimin e Konstantin Çutakut, drejtor i Institutit të Ekonomisë pranë Akademisë Rumune). Ky vit, që do të shënonte shembjen e regjimit komunist, ishte i dyzetepesti i Pasluftës, periudhë afro gjysmëshekullore gjatë së cilës populli rumun, megjithëse në kushtet e rënda të diktaturës, shpalosi talentin dhe energjitë e ushqyera nga një atmëmëdhetarizëm i rrallë, duke arritur fitore të pazakonta në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike-sociale dhe kulturore-shkencore.

Për nga infrastruktura industriale, Rumania u bë një ndër dhjetë vendet e para të Evropës; prodhonte kompjuterë performantë; kamionët dhe autobusët e prodhuar në Brashov e në Bukuresht ishin me patentë gjermane; avionët rumunë ROMBAC bliheshin nga Britania e Madhe; lokomotivat e uzinës Electroputere në qytetin Krajovë kishin patentë zvicerane ; në qytetin Reshica prodhoheshin motorë vaporësh të markës gjermane Renk; centrali bërthamor i Çernavodës, afër Konstancës, kish ardhur nga Kanadaja. Të gjitha këto dhe shumë të tjera tregonin se Rumania kishte filluar të integrohej me vrull me ekonomitë e mëdha të botës. Ajo ishte i treti vend në botë, pas SHBA dhe Japonisë, që prodhonte goma gjigante për mjete transporti mbi 110 tonëshe. Vetëm dy vende të botës prodhonin vida me sfera: Rumania dhe Japonia. Këto përdoreshin në industrinë bërthamore dhe të hapësirës së lartë.

 

Fill pas rënies së regjimit komunist, kryeministri i sapoemëruar Petre Roman deklaroi se krejt industria duhej hedhur si hekurishte, pra, sipas tij, ekonomia e Rumanisë komuniste nuk vlente asnjë kacidhe. Ky gabim fatal, që mund të cilësohet edhe si faj i madh, dëmtoi gjithanësisht ekonominë e Rumanisë dhe errësoi perspektivat e zhvillimit të saj normal. Qeveritë e mëvonshme, të majta e të djathta, janë përpjekur në një mënyrë apo në një tjetër t’i pakësojnë sadopak pasojat e rënda të asaj politike miope, por kanë hasur në vështirësi të mëdha, gati-gati të pakapërcyeshme.

Sipas të dhënave statistikore të fushave të ndryshme, më 1985 Rumania prodhonte 14 milionë tonë çelik, ndërsa sot vetëm 3 milionë; në vitin 2000 prodhonte 400.000 tonë alumin, – çka ishte vazhdim i suksesit të kohës së diktaturës, – ndërsa sot prodhon gjysmën e sasisë së lartpërmendur. Rumunët njiheshin si fabrikues të mirë të motorëve elektrikë; më 1980 prodhonin 19 milionë kilovat energji, ndërsa sot vetëm 700 mijë kilovat; më 1980 prodhonin 1.600 ekskavatorë, ndërsa tani asnjë; prodhonin 71.000 traktorë, sot asnjë. Ndërtuan fabrika traktorësh në Egjipt dhe në Iran, të cilat vazhdojnë të punojnë edhe tani, ndërsa në Rumani ato kanë “vdekur”. Specialistët rumunë punonin me makineri e pajisje moderne të prodhuara në Rumani, për kërkim-zbulim e shfrytëzimin e vendburimeve të naftës e të gazit në Algjeri e në vende të tjera arabe; ndërmarrjet rumune ndërtonin lagje të tëra banimi dhe vila luksoze në Gjermaninë Perëndimore e gjetkë.

Në vitin 1984 prodhoheshin 600 va­go­në udhëtarësh, sot asnjë. Prodhoheshin 14.000 vagonë mallrash, ndërsa sot vetëm 800. Mbi 100.000 vagonë mallrash u shkatërruan e u shitën në vitet e fundit si hekurishte. Industria e prodhimit të qelqit e të sapunit është rrënuar plotësisht. Sipas statistikave zyrtare, pas vitit 2000 janë eksportuar 50 milionë tonelata “hekurishte”, “mbetje” bakri, alumini dhe metalesh të tjera johekurore, me vlerë të përgjithshme mbi 10 miliardë euro. Është eksportuar gjithashtu lëndë drusore me vlerë mbi 8 miliardë euro dhe produkte të tjera bruto (drithëra, fruta, kafshë të gjalla etj) me vlerë 5 miliardë euro. Përpunimi i tyre në vend do të krijonte miliona vende pune. Rumania prodhonte 144 anije të tonazheve të ndryshme, ndërsa sot asnjë.

Në sektorin e naftës, më 1970 Rumania prodhonte 13 milionë tonë naftë, sot vetëm 6 milionë, por kjo shifër është e pasigurt përderisa jo të gjitha sondat kanë matës. Nafta përpunohet në rafineritë e vendeve të tjera. Para vitit 1989 prodhoheshin 8,5 milionë tonë motorinë, sot vetëm 2 milionë; 10 milionë tonë gaz, sot asnjë ton. Nga ana tjetër edhe shpërndarja e gazit bëhet nga të huajt. Prodhoheshin 500.000 tonë vajra minerale, sot asnjë.

Pas vitit 1990 ndryshoi peizazhi industrial. U krijua një e çarë ndërmjet industrisë së madhe e asaj të vogël. Përse ngjau kjo dukuri?

Erdhën “këshilla” nga konkurrentët evropianë: “… Pushoni nga puna punonjësit e uzinave të mëdha; mbyllni kombinatet e mëdhenj industrialë; prodhoni pjesë këmbimi, jo pajisje të plota; prodhoni kabllo, radiatorë, sisteme frenash dhe goma, jo lokomotiva dhe traktorë”. Politikanët vendës i zbatuan këto këshilla me zell.

U zhduk krejt sektori i industrisë tekstile, konfeksionet, trikotazhet (filatura, endjet, fabrikat e stofave dhe gëzofëve, ndërmarrjet e lëkurëve dhe të këpucëve); u mbyll sektori agroushqimor (36% e fabrikave të sheqerit e të vajit, e produkteve të mishit, të qumështit e të bulmetrave, dhjetëra fabrika e kombinate të ushqimeve për kafshët etj); shumica e fabrikave të industrisë së drurit e të mobilieve, të industrisë së çimentos, të bojërave dhe llakut, të medikamenteve, të sektorit të prodhimit të makinave, të minierave metalore dhe jometalore, të qymyrgurit etj. U zhbënë ndërmarrjet bujqësore shtetërore dhe stacionet e makinave e të traktorëve, qendrat e kërkimeve bujqësore dhe shumica dërrmuese e instituteve të kërkim-projektimit. U asgjësua industria elektronike, elektroteknike, e mekanikës fine, optike, e automatizuar etj. Baza kombëtare e llojeve të zgjedhura të bimëve dhe e racave të kafshëve u bë pluhur e hi. Rumania nuk ka më sot një paket kombëtar farërash, hibride, kultura drithërash, bimë teknike, perime etj. U shkatërrua pothuajse tërësisht sistemi ujitës, që ishte ndërtuar me borxhin nga Banka Botërore, për shlyerjen e të cilit rumunët shtrënguan rripin dhjetëra vite rresht. U braktisën programet e luftimit të gërryerjes së tokës, të digave dhe të bonifikimit, por edhe ato punimeve ujitëse në zbatim e sipër (kanali Siret-Danub apo Bukuresht-Danub). Shkallë-shkallë Rumania u shndërrua në një parajsë për shumëkombëshet, të cilat kontrollojnë industrinë, bujqësinë, transportet, ndërtimet, tregtinë, sektorin financiar-bankar etj dhe që nxjerrin rregulla ligjore që promovojnë interesat e tyre. Rumunëve u kanë mbetur ndërmarrjet e vogla e të mesme, por nga afro 500 mijë të tilla të regjistruara, mbi 200 mijë prej tyre nuk kanë asnjë të punësuar! Rumunët sot janë të lirë të merren me sektorët e mirëmbajtjes e të shërbimeve dhe pretendojnë se po përdorin metoda më inteligjente, novacione etj. As sot, pas një çerek shekulli, klasa politike rumune nuk po ndërgjegjësohet për rëndësinë e përcaktimit të rregullave, falë të cilave rrogëtarët të investojnë një pjesë të rrogës në një firmë të tyren. Kështu tërë ekonomia mund të shpëtohej përmes pjesëmarrjes financiare të të punësuarve, reinvestimi i rrogave të të cilëve të mos tatohet e as të taksohet. Fatkeqësisht, të gjitha qeveritë dhe përgjithësisht klasa politike rumune janë kujdesur për mbrojtjen e të ashtuquajturve investues strategjikë, për çlirimin nga tatimi të fitimit të reinvestuar dhe jo për lehtësime për rrogat e reinvestuara. Investuesit nuk duhet të marrin asnjë përkrahje në Rumani përderisa i paguajnë të punësuarit rumunë me rrogë minimale apo për t’i angazhuar në punë të zeza për shkaqe konkurrence.

Ngritja në demonstrata e qindramijëra njerëzve në shkurt 2017, jo më për vendosjen e demokracisë si më 1989, por për mbrojtjen e fuqizimin e bazave të saj, në fund të fundit ishte rrjedhojë e gjendjes së rëndë të krijuar në çerekshekullin e fundit. Pretekst (jo në kuptimin negativ të fjalës) shërbeu rishikimi me një Urdhëresë urgjente nga ana e qeverisë e Kodit Penal për të çliruar nga përgjegjësia çdo person që ka përfituar në rrugë të paligjshme më pak se 45 mijë euro, duke krijuar kësisoj një precedent për marrjen në mbrojtje edhe këtej e tutje të të gjithë atyre që mund të abuzojnë në kurriz të shoqërisë.

Meqë mocioni për t’i dhënë mosbesimin qeverisë dështoi përderisa shumicën në Parlament e kanë partitë që drejtojnë vendin, më 7 shkurt 2017 u jetësua “Mocioni për Rumaninë“, si zëdhënës i drejtpërdrejtë dhe autentik “i rrugës”, pra i qindramijëra demonstruesve, “për daljen nga kriza e nga konflikti politik, për vënien e demokracisë rumune mbi baza të shëndosha dhe gatitjen për dy momente jetike: njëqindvjetori i Bashkimit të Principatave ose Dita Kombëtare (2018) dhe kryesimi nga Rumania i Këshillit të Evropës (2019)”.

“Mocioni për Rumaninë” kërkon dorëheqjen e kryeministrit Sorin Grindeanu, që ky të tregojë para popullit dhe botës se interesat kombëtare janë përparësi mbi përparësitë. Nga Presidenti Klaus Johanis, – i cili dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, e quan pak, ndërsa zgjedhjet e parakohshme i quan shumë, – kërkohet të deklarojë se do të verë në krye të qeverisë së re një kryeministër tjetër të partisë në fuqi (PSD), e cila bashkë me aleatët, i fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare më 11 dhjetor 2016. Njëkohësisht, krerët e partive të opozitës të mos pretendojnë që kryeministri i ardhshëm të jetë nga radhët e tyre. Mocionistët u bëjnë thirrje kryetarit të Dhomës së Deputetëve, Liviu Dragnea, njëherazi kryetar i PSD-së, sidhe kryetarit të Senatit, Kalin Popesku-Tariçeanu, kryetar i partisë bashkëqeverisëse ALDE, të mos lejojnë që ekzekutivi i ri të nxjerrë urdhëresa urgjente, por të respektojë programin qeverisës.

Në mbështetje dhe thellim të Mocionit të lartpërmendur, doli “Proklamata” apo “Dekalogu i Timishoarës”, i qytetit ku në dhjetor 1989 u dha sinjali për rrëzimin e regjimit çaushist. Ky dokument kërkon organizimin e një referendumi për vazhdimin e luftës antikorrupsion; modifikimin e Kodit Penal, – kur shihet e domosdoshme, – vetëm nga Parlamenti; ndalimin e nxjerrjes së urdhëresave urgjente nga qeveria; verifikimin e konfiskimin e të gjitha pasurive të paligjshme; dyfishimin e dënimit me burg për korrupsion, konflikt interesi dhe abuzim në detyrë; çpolitizimin e të gjitha funksioneve publike dhe të aparateve administrative të çdo niveli, me përjashtim të qeverisë; kufizimin e imunitetit parlamentar vetëm e vetëm për deklarata politike; eliminimin e votimit të fshehtë në Parlament, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për probleme të sigurisë kombëtare; kufizimin e mandateve në vetëm dy herë për çdo funksion zyrtar; vënien në dijeni për të gjitha këto të Gjykatës Kushtetuese.

Përmbushja e kërkesave të “Mocionit për Rumaninë” dhe “Dekalogut të Timishoarës”, shihet nga populli rumun si një shans për shëndoshjen e gjendjes së krijuar dhe garanci për ecjen përpara të Rumanisë në rrugën e zhvillimit të gjithanshëm, me mjete e metoda demokratike.